Maqedoni
Rama: Modeli i ‘Shengenit” edhe me Maqedoninë e Veriut. Zaev në Tiranë: Opozita të mos dëmtojë proceset integruese
13.03.2019 17:16
Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama, ndajnë të njëjtin vizion për Ballkanin Perëndimor...

Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama, ndajnë të njëjtin vizion për Ballkanin Perëndimor, një rajon i integruar në Bashkimin Europian.
Rama ka përkujtuar homologun e tij maqedonas se integriteti dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është si interes strategjik edhe i Shqipërisë.
Rama foli edhe për modelin Shengen, që duhet të shtrihet në të gjithë rajonin me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve sipas modelit të një Europe pa kufij.
“Modeli Shengen duhet të shtrihet në të gjithë rajonin me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi me bindjen se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në këtë proces. Kufijtë e vendet tona duhet të jenë po aq fluidë sa janë kufijtë në Bashkimin Europian. Nëse këtë gjë do të duhet ta bëjmë me anëtarët e BE-së, askush nuk na pengon ta bëjmë mes nesh sot, jo nesër”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në kushtet kur opozita shqiptare ka vendosur të djegë mandatet duke vënë në rrezik integrimin, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dha një leksion të fortë, duke sjellë shembullin kur ai ishte ende në opozitë.
“Në kohën kur unë isha opozitë, raportet e ShBA-së, BE-së flisnin për një regjim hibrid në Maqedoni, gjatë asaj kohe e drejta e proceseve demokratike ishte e mundur, njëjtë si në Shqipëri, por kur flisja me Hahnin, Mogerinin, me gjithë lidershipin evropian lusja për vendin tim që t’u jepet datë e bisedimeve se ky ishte qëllim i vendit tim pa dallim të konfrontimeve tona si shtet. E kuptoj opozitën kudo qoftë ajo, por obligimi i të gjithëve është shteti, dhe për shkak të kësaj ekzistojmë si opozitë",- tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Rama përkujtoi homologun e tij se e ka radhën ta ftojë në Shkup për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, por me një kusht: "Ne organizuam përpara 15 muajve mbledhjen e dy qeverive dhe ka ardhur koha të përgatitemi për të dytën. Natyrisht, duke pritur ftesën zyrtare, sepse jeni ju që duhet të na mirëprisni dhe jeni ju që duhet të paguani shpenzimet e drekës. Besoj që do të keni dakordësi të plotë mes partive të koalicionit për të ndarë shpenzimet",- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Zaev mori lëvdata prej kryeministrit Rama lidhur me marrëveshjen e Prespës, por edhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Shumë i rëndësishëm është bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve dhe kryeministri shqiptar përkujtoi rëndësinë e shtrirjes së Rrugës së Arbrit deri në segmentin “Bllacë-Shkup” me shpresën se ky segment shumë shpejt do të jetë pjesë edhe e projekteve të ekzekutivit Zaev.
LULJETA NDOKA
