Maqedoni

Rumania ratifikoi protokollin, Xhaferi: Bukureshti demonstroi miqësinë

13.03.2019 17:41

Senati i Rumanisë ratifikoi Protokollin për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në aleancën e NATO-s...

Kështu, Rumania bëhet vendi i shtatë me radhë që ka ratifikuar Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, pas Greqisë, Sllovenisë, Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.
 
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, i cili mori pjesë në aktin e ratifikimit, falënderoi deputetët dhe popullin rumun për mbështetjen që i kanë dhënë Maqedonisë së Veriut si në procesin e integrimit në NATO po ashtu edhe në procesin e integrimit në BE.  
 
“Edhe njëherë Rumania e demonstroi përkushtimin e vet, miqësinë dhe mbështetjen ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut për realizimin e përcaktimit të vet euroatlantik, duke mundësuar një koherencë dhe ardhmëri të përbashkët”,- tha kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi.
 
Në kuadër të vizitës në Rumani, Xhaferi realizoi takim dypalësh me ministrin e punëve të jashtme të Rumanisë, Teodor Viorel Meleskanu, i cili përgëzoi vendin për ndryshimet e miratuara kushtetuese dhe hapat e deritanishme në procesin reformues dhe integrues.
 
Kryeparlamentari Xhaferi nga Bukureshti do të udhëtojë për në Vilnus të Lituanisë, ku po ashtu do të marrë pjesë në ratifikimin e protokollit nga ana e Kuvendit lituanez. 
 
Më 6 shkurt, ambasadorët e 29 vendeve anëtare të NATO-s nënshkruan Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO tani pason ratifikimi në kuvendet kombëtare të të gjitha vendeve anëtarëve të NATO-s, që Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht të bëhet anëtar me të drejta të plota në Aleancën Veriatlantike.
 
SHPËTIM NUREDINI