Kushtetuesja publikon vendimin për kryeparlamentarin
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka publikuar edhe aktgjykimin e plotë për rastin e zgjedhjes së Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit të Kosovës, duke e vlerësuar si antikushtetuese, por i len shpresë opozitës që nëse nuk zgjidhet kandidati i PDK-së, përsëri opozita të zgjedh Mustafën në këtë post.....

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se e drejta për të propozuar kryetarin i njihet Partisë Demokratike të Kosovës.
Në rast se kjo nuk arrihet, u sugjerohet deputetëve të gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që të vazhdohet me konstituimin e plotë të legjislativit. Menjëherë pas publikimit të aktgjykimit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në profilin e tij në “Facebook” ka ftuar rivalët politik që të bashkëpunojnë për tejkalimin e ngërçit politik.
“Tani le të punojmë bashkërisht për të implementuar rezultatin e zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit. PDK, si fituese e këtyre zgjedhjeve do të punojë me vullnetin gjeneroz dhe frymën mirëkuptuese me spektrin politik kosovar”- ka shkruar Thaçi.
Por, në një reagim të përbashkët të koalicionit LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, vlerësohet se me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i hapet rruga krijimit të institucioneve nga blloku opozitar.
"Aktgjykimi, saktëson të drejtën dhe detyrimin kushtetues të deputetëve për të gjetur mënyrën për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, i cili zgjidhet me shumicën e votave"- thuhet në komunikatë.
Në seancën e 17 korrikut, pa praninë e deputetëve të PDK-së, nga 83 deputetët e pranishëm, me 65 vota, Isa Mustafa u zgjodh në postin e kryetarit të Kuvendit, por kjo u kontestua nga PDK-ja e Hashim Thaçit, e cila e dërgoi lëndën në Gjykatën Kushtetuese. (Gyltene Sinani, TVM2)
