Maqedoni

Debat mbi sigurinë në ndeshjet sportive

26.08.2014 16:53

Si të përmirësohet siguria në stadiume, ishte tema që u trajtua në punëtorinë e organizuar nga FFM-ja, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, përfaqësues të klubeve dhe të tifozëve...

Grupet e tifozëve kërkuan specializimin e Njësive Policore në problematikën sportive, ndërsa ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se ekziston hapësirë për koordinim dhe pranim të propozimeve për zhvillim të mirëfilltë të ndeshjeve sportive. 
 
“Erdhëm edhe te disa përfundime, gjegjësisht sugjerime nga ana e tyre dhe propozime për ne, të cilat janë të pranueshme sa i përket trajtimit të problematikës për mbajtjen e ndeshjeve sportive dhe në këtë drejtim, mund të them se për ne është e pranueshme iniciativa e tyre për specializimin e personave sa i përket problemeve në sport, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
 
“Kanë vërejtjet e tyre konstruktive, ide të cilat ne si Federatë e Futbollit do t’i marrim parasysh dhe nga ana jonë do të marrim masa për të kontribuar për siguri më të madhe në stadiumet tona”- theksoi kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Ilco Georgievski.
 
Nga gjithsej 34 incidente të regjistruara, 19 kanë ndodhur në qytetin e Shkupit, më pas vijnë Manastiri, Shtipi,Ohri dhe Tetova.
 
Pas incidenteve në fjalë, MPB ka ngritur 12 padi penale për pjesëtarë të të gjitha grupeve tifoze.
 
FLORIJE KAMBERI