Maqedoni

Rritet numri i të sëmurëve nga veshkat, mbi 1500 persona kanë nevojë për dializë

14.03.2019 17:05

Çdo i 10-ti person në botë ka probleme me veshkat, çdo i 3-ti person është i rrezikuar.....

Mjekët thonë se po rritet numri i të sëmurëve nga veshkat por akoma nuk ka një shifër të saktë se sa është ky numër. Ajo që dihet është se nga 1500 deri në 1600 pacientë kanë nevojë për dializë. Nëse sëmundja zbulohet me kohë mund të parandalohet. 
 
“Kemi ndryshime në periudha të caktuara të numrave se sa kyçen dhe sa vdesin, kështu që numri lëviz nga 1500 deri 1600 të cilët vizitojnë hemodializën kronike. Duhet të bëhen regjistra që të shohim se cila përqindje e qytetarëve në cilin stadium ndodhet”,- deklaroi drejtoresha e Klinikës për Nefrologji, Irena Bushletiq.
 
Për tre muaj janë kryer gjashtë transplantime të veshkave nga donatorë të personave që kanë ndërruar jetë dhe 20 nga donatorë të gjallë.
 
“Tek numri më i madh i pacientëve mund të kryhet transplantimi i veshkave dhe për këta pacientë ne do të përpiqemi që t’u sigurojmë apo të punojmë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për donim të organeve”,- u shpreh koordinatorja nacionale për transplamntim, Maja Mojsova.
 
“Gjithnjë kemi nga 6 deri në 8 pacientë që presin për transplantim që presin nga donatorë të gjallë. Po i përmbahemi programit që kemi hartuar, nga 2 transplantime në muaj”,- tha nefrologu, Goce Spasovski.
 
Për veshka të shëndosha nevojitet kujdes në të ushqyerit për të mos kaluar në mbipeshë, e cila përbën edhe një nga faktorët kryesorë për shfaqjen e këtij rreziku. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI