Maqedoni
Bashkëpunimi Maqedonia e Veriut – Kosovë, projekte të përbashkëta për zhvillim ekonomik
14.03.2019 17:19
Bashkëpunimi ndërkufitar mes vendeve fqinje mundëson edhe rritje të zhvillimit ekonomik....

Këtë e kanë të qartë edhe Maqedonia e Veriut dhe Kosova, që mbajtën në Shkup një forum konsultativ ku diskutuan projektet e programit IPA II që ka të bëjë me bashkëpunimin ndërkufitar. Nëntë projekte nga thirrjet paraprake janë në proces të implementimit, njëra ndër to është edhe pika kufitare Bellanoc-Stançiç. Autoritetet u apelojnë komunave nga të dy vendet të përgatisin bashkërisht projekte cilësore për të shfrytëzuar fondet në dispozicion.
“Ju bëj apel komunave që sa më shumë të përgatisin projekte kualitative që ta shfrytëzojnë këtë thirrje, e cila është në vlerë prej mbi 2 milionë euro. Është një mundësi e mirë që përveç afrimit të popullatave në dyja anët është edhe mundësi për zhvillimin rajonal ekonomik nga të dyja anët e kufirit”,- tha ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu.
“Në këtë mënyrë të afrojmë akoma më shumë qytetarët të atyre zonave, t’u japim më tepër mundësi sidomos për të rinjtë të cilët jetojnë nëpër zonat kufitare që të mos i braktisin ato zona. Të promovojmë vlerat trashëgimisë kulturore, natyrore dhe në një farë forme të tejkalojmë konceptin tradicional të kufijve administrativë të vendosur mes shteteve dhe të shkojmë drejt asaj idesë se si funksionojnë kufijtë e BE-së”,- tha sekretarja në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal – Kosovë, Rozafa Ukimeraj.
Ky forum i paraprin thirrjes për aplikime që do të shpallet në fund të muajit në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar mes dy shteteve. Javën e ardhshme, forum i njëjtë konsultativ do të mbahet edhe në Prishtinë.
ZEKIRJA MEXHITI
