Maqedoni

ATO, Angelovski: Nuk ka përgjime jashtëligjore; Dimitriev: Ndiqen 188 celularë, sipas normave ligjore

14.03.2019 17:45

Drejtori i Agjencisë Teknike Operative, Zoran Angelovski, siguroi qytetarët se nuk ka përgjime të jashtëligjshme në vend....

Për momentin po ndiqen 188 celularë, por sipas të gjitha normave ligjore. ATO-në e vizituan sot anëtarët e Komisionit kuvendor për ndjekje të komunikimeve. 
 
“Gjithçka që zhvillohet në ATO është në mënyrë të përshtatshme e dokumentuar edhe në nivel teknik dhe normativ, dhe është në dispozicion për mbikëqyrje në çdo kohë si për këtë komision ashtu edhe për çdo tjetër që dëshiron të mbikëqyrë. Për momentin them se përgjime jashtëligjore nuk ka, nuk ekziston në Maqedoni”,- tha drejtori i ATO-s, Zoran Angelovski.
 
“ATO ndërmjetëson masën për ndjekje të komunikimeve për 188 numra të celularëve në RM. Ato bëhen me kërkesë të institucioneve të ndryshme që kanë juridiksion ligjor për punën e tyre të shfrytëzojnë masën e ndjekjes së komunikimeve. Nga ajo që pamë ne si komision, për momentin nuk vërejtëm shkelje të proceduarve”,- tha kryetari i Komisionit Parlamentar për Ndjekje të Komunikimeve, Emil Dimitriev.
 
Agjencia Teknike Operative për momentin ka 22 të punësuar, njoftoi Angelovski, ndërsa do të shpallet konkurs për pranimin edhe të 5 apo 6 punëtorëve të rinj. 
 
NAIM RAMADANI