Maqedoni
AP e NATO-s, kërkohet luftë efikase ndaj korrupsionit
14.03.2019 18:03
Maqedonia e Veriut ka shënuar progres në zbatimin e reformave dhe marrëdhëniet me fqinjët....

Maqedonia e Veriut ka shënuar progres në zbatimin e reformave dhe marrëdhëniet me fqinjët, sidomos me arritjen e Marrëveshjes me Greqinë hoqi pengesën kryesore në procesin eurointegrues, por tani për tani pengesë paraqitet niveli i lartë i korrupsionit. Delegacioni i Nënkomitetit për Tranzicion dhe Zhvillim i Asamblesë Parlamentare të NATO-s kërkon që vendi të hartojë strategji për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe të adresojë rezultate konkrete, në të kundërtën nuk përjashtohet mundësia që vende të caktuara anëtare të NATO-s të hezitojnë të ratifikojnë protokollin për anëtarësim, pikërisht për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit.
“Familja jonë po rritet, por disa vende mund të jenë kundër, pasi keni rrezik të lartë nga korrupsioni në këtë vend, prandaj do të kisha dashur të pyes të gjitha grupet parlamentare nëse keni programe konsensuale për luftë kundër korrupsionit, pasi ai e frenon rritjen ekonomike dhe të rinjtë mund ta braktisin vendin tuaj kur të bëheni anëtare, siç ka treguar praktika e deritanishme”,- deklaroi anëtari i AP të NATO-s.
Deputetët njoftuan anëtarët e delegacionit të Nënkomitetit për Tranzicion dhe Zhvillim të NATO-s se vendi ka shënuar progres në ndërtimin e mekanizmave për të luftuar korrupsionin, ndër të cilat është edhe zgjedhja e Komisionit për parandalim të korrupsionit dhe propozim ligji për Prokurorinë Publike, i cili parasheh rregullimin e statusit të PSP-së dhe zgjerimin e kompetencave të saj në këtë drejtim.
“Kjo shumicë parlamentare dhe kjo qeveri për herë të parë hartuan dokumente strategjike lidhur me luftën kundër kësaj të keqe në përgjithësi. Kemi hartuar edhe strategji për luftë kundër terrorizmit dhe terrorizmit ekstrem”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Hari Llokvenec.
Delegacioni i përbërë nga 15 deputetë nga 8 vende anëtare të NATO-s po qëndron në Maqedoninë e Veriut në një mision për të zbuluar fakte për gjendjen e sigurisë dhe situatën politike dhe ekonomike. Të dy palët konsiderojnë se kjo periudhë plot sfida dhe detyra është me rëndësi për Maqedoninë e Veriut. Përderisa deputetët vendorë kërkuan përshpejtim të ritmit të ratifikimit të protokollit nga vendet anëtare të NATO-s, deputetët e vendeve respektive kërkuan konsensensus politik dhe zbatim të reformave, posaçërisht në drejtim të sundimit të shtetit ligjor dhe luftën e korrupsionit në nivele të larta.
SHPËTIM NUREDINI
