Maqedoni
Transformimi i Szmo-së, Lika: Nuk është lojë, MO nuk është implementuar; Osmani: SZMO po avancohet në ministri, nuk po shuhet
14.03.2019 18:13
Zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, vazhdon të këmbëngulë se shpërbërja e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit....

Zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, vazhdon të këmbëngulë se shpërbërja e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk duhet të merret si diçka e lehtë që mund të kapërcehet kollaj. Ai këmbëngul se për sjelljen e ligjit nuk janë konsultuar të gjitha palët, e për më tepër nuk është konsultuar vetë sekretariati, si bartës i procesit.
“Unë jam udhëheqës i një sektori që e bart këtë proces dhe kur ngrihet iniciativë për ta ndryshuar këtë sektor, unë e quaj të nevojshme që të pyetet edhe ky sektor të merret në konsideratë dhe të bashkëpunohet për të hartuar një ligj i cili më mirë do t’i mbrojë interesat. Jemi të vetëdijshëm që Marrëveshja e Ohrit është një dokument i cili ende nuk është implementuar. Një shembull konkret është përfaqësimi i drejtë dhe unë mendoj që kjo nuk duhet të merret si një lojë ose si diçka e lehtë që mund të kapërcehet aty për aty. Po flasim për implementim dhe po hyjmë në konflikte për një marrëveshje e cila është dashur të implementohet 4 vite pasi është arritur”,- tha zëvendëskryeministri për zbatimin e MO-së, Hazbi Lika.
Nga BDI këmbëngulin se transformimi i sekretariatit është një avancim dhe nuk bëhet fjalë për shuarjen e tij.
“Me rëndësi tani është të miratohet ligji dhe të fuqizohet sekretariati. Dua të demantoj se sekretariati po shuhet. Ai nga një shërbim koordinativ, po kthehet në një trup që propozon ligje për të siguruar implementimin e sigurt të Marrëveshjes së Ohrit”,- tha Bujar Osmani nga BDI.
Osmani i mohon zërat për përçarje mes integristëve. Sipas tij, Bashkimi Demokratik për Integrim është më e unifikuar se kurrë dhe po realizon programin zgjedhor.
BESIM ABDULLAI
