Botë
Raporti i DASh: Shqipëria, problem me gjyqësorin dhe korrupsionin. Kosova, probleme me korrupsionin
14.03.2019 18:58
Departamenti Amerikan i Shtetit i ka dhënë një shuplakë drejtësisë shqiptare në raportin për të drejtat e njeriut....

Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryenin abuzime, ka qenë sporadik, ndërsa zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh kanë qenë në gjendje të shmangnin ndjekjen penale. Në përgjigje të kësaj,- vijon raporti- autoritetet kanë ndërmarrë një veting të monitoruar ndërkombëtarisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kanë skualifikuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar.
Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet gjithashtu se korrupsioni ka qenë në vazhdimësi një problem serioz në qendrat e paraburgimit.
“Edhe pse qeveria ka mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimin dhe korrupsionin, korrupsioni në radhët e policisë mbeti problem”,- vijon raporti.
Në raport vërehen gjithashtu edhe problemet në fushën e medias, ku mbizotëron censura.
Korrupsioni shihet një problem serioz edhe në Kosovë. Në raportin e DASh-it për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2018, në pjesën për Kosovën përmenden korrupsioni endemik në qeveri, dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.
Raporti thekson edhe rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut.
LULJETA NDOKA
