Anashkalimi i përdorimit të emrit të ri, Zaev: Është mosrespektim i kushtetutës

15.03.2019 09:56

Mospërdorimi i emrit të ri kushtetues, i Republikës së Maqedonisë së Veriut, është mosrespektim i Kushtetutës...

Mospërdorimi  i emrit të ri kushtetues, i Republikës së Maqedonisë së Veriut, është mosrespektim i Kushtetutës, ka deklaruar mbrëmë kryeministri, Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për procedurat e mëtejme me ligjet të cilat, nuk u nënshkruan nga presidenti Gjorge Ivanov.
 
Zaev ka shprehur besimin se shërbimet do të gjejnë zgjidhje të përbashkët me qëllim të mundësohet përdorimi i ligjeve të miratuara, të cilët nuk morën nënshkrimin nga presidenti, që nuk i nënshkroi dekretet e 11 ligjeve të fundit të miratuara nga Kuvendi.
 
“Vendit tonë nuk i nevojiten bllokada nga arsye subjektive ose të tjera të cilat mund të ekzistojnë për këto çështje. Besoj se do të gjenden zgjidhje”,- ka thënë kryeministri.
 
Ligjet e refuzuara nga Ivanovi, do të duhet përsëri të hyjnë në procedurë parlamentare dhe do të duhet të miratohen me 61 deputetë, e pas kësaj, presidenti është i detyruar të nënshkruajë dekretin për hyrjen në fuqi të tyre. Nuk dihet se kur këto ligje të rikthyera nga Presidenca, do të hyjnë sërish në seancë plenare.
 
Parlamenti është në pushim nga 1 prilli për shkak të zgjedhjeve presidenciale, por nuk përjashtohet mundësia që të punojë edhe gjatë zgjedhjeve, që të miratohen ligjet reformuese, që BE i kërkon nga vendi.