Maqedoni
Kompensimi i orëve të humbura, të shtunave. SPA: Arsimtarëve duhet t’u paguhet mëditje
15.03.2019 15:49
Ministria e Arsimit ka informuar se të gjitha shkollat fillore dhe të mesme ditët e humbura...

Ministria e Arsimit ka informuar se të gjitha shkollat fillore dhe të mesme ditët e humbura mësimore gjatë vazhdimit të pushimit dimëror për shkak të ndotjes së lartë të ajrit, do të zëvendësohen me punë gjatë dy të shtunave. Menjëherë pas kësaj ka reaguar Sindikata e Pavarur e Arsimit, ku ata theksojnë se për këto të shtune që punohen duhet të paguhen mësimdhënësit.
“Ministria e Arsimit nuk e ka marrë në konsideratë se përderisa nxënësit ishin në shtëpi, të gjithë të punësuarit në arsim, mësimdhënësit, kanë ardhur në punë. Njëherit është thënë se nuk do të punohet të shtunave. Në fakt ish ministrja e arsimit, Renata Deskovska, e cila deklaroi se të shtunat nuk janë produktive as për mësimdhënësit por as për nxënësit, dhe nuk është nevoja një gjë e tillë të praktikohet. Institucionet kompetente duhet të paguajnë mëditje sepse është ditë e shtunë”,- deklaroi Valentina Mishkova Kenkova nga Sindikata e Pavarur e Arsimit.
Nga Sindikata e Pavarur informojnë se gjatë të shtunave janë paraparë gara të ndryshme ndërkomunale mes shkollave. Gjithashtu ata kërkojnë nga organet kompetente që të ketë dialog social dhe bashkëpunim me të punësuarit në arsim.
REJHANE BUSHI METAJ
