Maqedoni

KShPK, kontroll gjendjes pronësore të Ivanovit, gjoba për 18 kryetarë komunash

15.03.2019 16:18

Presidenti i Republikës nuk ka dhënë detaje lidhur me emërimet që i ka bërë....

Presidenti i Republikës nuk ka dhënë detaje lidhur me emërimet që i ka bërë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë në periudhë zgjedhjesh presidenciale. Pas hapjes së procedurës nga Komisioni për parandalim të korrupsionit, ka dërguar në Komision vetëm një letër ku ka cituar kompetencat që i takojnë me ligj. 
 
“Na sollën vetëm një letër, ku janë cituar nene të ligjit në drejtim të asaj se cilat janë kompetencat e presidentit për të emëruar ose caktuar. Letrën do ta shqyrtojmë më tej”,- deklaroi kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.
 
Në ndërkohë, Komisioni ka hapur procedurë për të kontrolluar gjendjen pronësore të presidentit, pas zërave në media se presidenti posedon disa apartamente.
 
“Do të hapim procedurë për kontroll të gjendjes pronësore të kryetarit, sipas nenit 92 dhe 85, në bazë të zërave në media. Kërkojmë kontroll të përgjithshëm”,- theksoi kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.
 
Komisioni Shtetëror për parandalim të korrupsionit do të gjobisë 18 kryetarë komunash, pasi nuk kanë dorëzuar fletëpronësi, deklaratë për interesa ose asnjërën prej tyre, brenda afatit ligjor.   
 
“Ka 6 kryetarë komunash të cilët nuk kanë dorëzuar fletëpronësi, ata janë: Milikije Halimi, Isen Shabani, Arben Taravari, Konstantin Georgievski, Asan Iseni dhe Stevçe Tërpkovski. Ka shtatë kryetarë komunash të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratë për interesa, ata janë: Albon Xhemaili, Zoran Zimbakov, Marijan Janev, Goran Trajkovski, Boro Stojçev, Azem Sadiki, Goran Stojanovski dhe pesë kryetarë komunash të cilët nuk kanë dorëzuar as njërën e as tjetrën dhe ata janë: Sasho Jankovski, Boris Georgievski, Xhemal Qamili, Jordan Nasev dhe Alija Ibrahimi”,- deklaroi kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.
 
Komisioni vazhdoi shqyrtimin e parashtresave individuale për raste të dyshuara për nepotizëm, korrupsion dhe konflikt interesi. 
 
SHPËTIM NUREDINI