Maqedoni
Kontrolli publik në Listën Zgjedhore, mbi 53 mijë qytetarë kontrolluan të dhënat e tyre
15.03.2019 16:45
Në mesnatën mes të enjtesh dhe të premtes ka skaduar afati për kontroll publik në Listën Zgjedhore....

Nga KShZ njoftuan se mbi 53 mijë qytetarë janë paraqitur për të kontrolluar të dhënat e tyre në listën zgjedhore, ndërsa deri më 19 mars lista do të duhet t’u dërgohet për kontroll edhe partive politike, të cilat në afat prej 5 ditësh do të mund të dërgojnë kërkesa për regjistrim ose ndryshim të të dhënave. Bazuar në afatet, KShZ është e obliguar që listën finale ta ketë gati deri më 29 mars.
“Gjatë periudhës 20 ditore, gjithsej 53,972 qytetarë kanë kryer kontroll në listën zgjedhore në zyrat rajonale të KShZ-së. Në këtë periudhë janë sjellë 50,017 vendime për regjistrimin në listën zgjedhore, 4012 vendime për fshirje nga Lista Zgjedhore dhe 129 vendime për korrigjim të të dhënave në listën zgjedhore në bazë të kërkesës së qytetarit”,- deklaroi zëdhënësja e KShZ-së, Ljupka Guguçevska.
Sa i përket paraqitjes së votuesve që jetojnë në diasporë në përfaqësitë konsullore diplomatike të vendit, më shumë paraqitje për votim të qytetarëve ka pasur në Venecia, Lubjanë dhe Paris.
“Në mesnatë ka kaluar afati edhe për paraqitje të personave që jetojnë ose janë me punë të përkohshme jashtë vendit dhe të cilët dëshirojnë të votojnë në ndonjërën nga përfaqësitë tona konsullore diplomatike. Gjithsej kanë arritur 1825 paraqitje për votim, por kjo shifër mund të pësojë ndryshime, pasi përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme do të dorëzohen kërkesat që kanë ardhur edhe në formë të shkruar”,- tha zëdhënësja e KShZ-së, Ljupka Guguçevska.
Ndërkohë zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme bashkë me rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale do të mbahen në 3 komuna edhe atë në Dibër, Ohër dhe Novo Sellë. Nga KShZ theksuan se paralelisht vijojnë aktivitetet edhe në këto komuna, ku vijon të rrjedhë afati për paraqitjen e listave të kandidatëve në njësitë zgjedhore rajonale. Rrethi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale është caktuar më 21 prill, ndërsa rrethi i dytë më 5 maj.
ZEKIRJA MEXHITI
