Maqedoni
Aktvendim për dhunën në Kuvend, 211 vite burg për të akuzuarit e “27 prillit”
15.03.2019 17:48
211 vite burg për 16 të akuzuar për dhunën e përgjakshme të “27 prillit” në Kuvend....

Igor Durllovskin Gjykata e shpalli të pafajshëm, ndërsa për të tjerët tha se në bazë të dëshmive janë fajtorë për veprën penale “rrezik terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.
Dënimin më të lart prej 18 vitesh burg e mori ish drejtori i Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov, me akuzën se nuk ka ndërmarrë asnjë masë për mbrojtje të Kuvendit, deputetëve, gazetarëve dhe personave tjerë zyrtarë brenda Kuvendit edhe pse ka qenë bartës i Komandës së artë në MPB. Ish kolegët e Çavkovit në MPB, Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski-Levi u dënuan me nga 15 vite burg, Oliver Popovski 13 vite, Oliver Radullov 10 vite burg, Munir Pepiq nga Agjencia për zbulim - 15 vite burg dhe Abdulfeta Alimi u dënua me 7 vite burg.
Nga personat të cilët me maska hynë në Kuvend dënim prej 15 viteve burg morën Jane Çento, Vllatko Trajkovski dhe Nikolla Mitrevski - Kolo. Vilijam Mihajllovski mori 14 vite burg. Igor Jug dhe Gorançe Angelovski nga 12 vite dhe Aleksandar Vasilevski - Ninxha u dënua me 8 vite burg. Gjatë elaborimit të aktvendimit, gjykatësja Dobrila Kacarska tha se bëhet fjalë për një skenar të menduar, pjesë e të cilit kanë qenë dhe zyrtarë të lartë policorë.
“Kuvendi duhet patjetër të jetë tempull i demokracisë. Qeverisja është në duar të popullit, por kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se populli ka autorizim të plotë dhe të pavarur në institucionet e shtetit dhe të udhëheq me të në mënyrën që e zgjedh vetë. Qytetarët shfrytëzojnë të drejtën e tyre përmes përfaqësuesve dhe jo personalisht, dhe për këtë arsye nuk guxon të ndodhë e enjtja e përgjakshme”,- deklaroi gjykatësja, Dobrilla Kacarska.
Prokurorja, Ivana Trajçeva, tha se me këtë vendim, ku 16 persona u dënuan me burg, drejtësia është e kënaqur, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë për ankesa të mundshme sa i përket lartësisë së dënimeve.
“Për një pjesë të të akuzuarve u shqiptuan dënim nën minimumin e paraparë ligjor, ndërsa për pjesën tjetër dënime nga ajo e paraparë më lart. Kur e shohim kohëzgjatjen mund të themi se për dikë ndoshta është relativisht e lartë e për dikë jo. Lë hapësirë të marrim vendimin me shkrim, të shohim vlerësim e gjykatës, e pastaj do të marrim vendim nëse do të ankohemi për ndonjërin nga të akuzuarit në bazë të vendimit për dënimin apo jo”,- tha prokurorja publike, Ivana Trajçeva.
Avokati mbrojtës i Mitko Çavkovit, Sasho Dukovski, tha se do ta ankimojnë vendimin për dënimin të cilin e kanë parashikuar edhe më herët. Sipas tij, aktvendimi nuk është prodhim i gjendjes faktike dhe e njëjta do të ankimohet edhe në Strasburg.
“Gjendet në paraburgim me vendim dhe Këshill Gjyqësor joligjor, i cili nuk ka të drejtë të miratojë këtë vendim, sepse në atë moment kishte mbaruar shqyrtimi kryesor dhe ajo tregonte një situatë, e ajo është dënimi drakonik që e mori 2 vite më pak nga maksimumi ligjor, gjë të cilën e mori nga fillimi i këtij procesi gjyqësor. Sigurisht do të parashtrojmë ankesë dhe të shohim se ku do të arrijmë, por jam i sigurt se gjykata e logjikës së drejtë në Strasburg këtë nuk do ta pranojë”,- deklaroi avokati i Mitko Çavkovit, Sasho Dukovski.
Për familjarët e të akuzuarit, Abdulfeta Alimit, vendimi i sotëm është i padrejtë. Sipas tyre, Alimi ka shpëtuar jetë dhe nuk ka bërë asnjëlloj krimi, andaj prisnin shpalljen e pafajësisë së tij.
“Me qenë trim e tash mu burgos 7 vjet?... Ai ka shpëtuar njeri. Për çfarë arsye? Duhet të dimë se për çfarë. Ta dimë arsyen. Ka mbytur dikë apo ka bërë ndonjë krim? Ai asnjë krim nuk ka bërë, vetëm se ka shpëtuar njeri. Jo! Është e paarsyeshme, nuk e shoh të drejtë këtë! Mendimi im është se Fetai është krejtësisht i pafajshëm”,- tha xhaxhai i Abdulfeta Alimit, Alim Jashari.
Në kërkesë të prokurores publike, trupi gjykues shqiptoi masën e paraburgimit për 16 të akuzuarit. Për ngjarjet e dhunshme në Kuvend fillimisht u akuzuan 33 persona për veprën “organizim terrorist të rendit kushtetues dhe shtetit”, ndërsa prej tyre 15 u amnistuan, ndërsa për njërin prej tyre udhëhiqet proces i veçantë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
