Maqedoni

Aktvendimi gjyqësor për “27 prillin”, VMRO: Vendim politik, varroset drejtësia. ASh: Alimi, viktimë e “bilancit” etnik

15.03.2019 17:54

Vendimet gjyqësore të ngjarjeve të “27 prillit” nga VMRO-DPMNE janë cilësuar si vendime politike, duke e varrosur drejtësinë....

VMRO konsideron se gjykata nuk ka marrë parasysh faktet juridike, por motivet politike, tanimë në prag të zgjedhjeve.                                                                
 
“Vendimi i sotëm gjyqësor për “27 prillin” është rezultat i procesit të montuar politik dhe është produkt i padrejtësisë. Aktvendimi politik prej gjithsej 211 vitesh burg quhet varrosje e drejtësisë. Me këtë u vërtetua pohimi ynë se dënimet do të jenë dragonike jo pse janë të drejta, por e kundërta, sepse ky rast gjykohet sipas motiveve politike, e jo fakteve juridike. Është e qartë se këto dënime janë rezultat i procesit politik në prag të zgjedhjeve”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.   
                                                                                     
Nga Aleanca për Shqiptarët konsiderojnë se Maqedonia e Veriut është shumë larg demokracisë dhe drejtësisë, pasi Abdylfeta Alimi u dënua me 7 vite heqje lirie. Kjo, sipas ASh-së, paraqet tendencë për të amortizuar dënimet tjera të grupit të organizuar në sulmet e kuvendit.
 
“Është e palogjikshme që Feta Alimi të ngarkohet me lëndën “terrorizëm” dhe i njëjti të nivelizohet me grupin që dhunuan Kuvendin dhe deputetët. Me Feta Alimin po mundohet të ruhet “bilanci” etnik ndaj të dënuarve tjerë të cilët opinioni tani më i njeh si urdhërues dhe ekzekutues të ngjarjeve të “27 prillit”. Feta Alimi sot duhej të shpërblehej nga shteti që arriti të shpëtojë jetën e një deputeti dhe lideri të popullit, siç është Ziadin Sela, duke vënë në rrezik dhe sakrifikuar jetën e tij”,- thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
 
Por, nga LSDM kanë vlerësuar se VMRO dhe Mickovski edhe sot i dolën në mbrojtje dhunës në kuvend.
 
“Vetëm VMRO dhe Mickovski arsyetojnë dhunën. Kjo dëshmon se ende funksionojnë dhuna dhe krimi i Nikolla Gruevskit. Përfundoi koha kur janë porositur dhe montuar proceset dhe kur vendime gjyqësore shkruheshin jashtë gjykatave, më shpesh në oborrin e bardhë. Sot gjyqësori është i pavarur”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
 
ASh paralajmëron ankimim të vendimit në të gjitha instancat juridike që të dëshmohet pafajësia e Abdylfeta Alimit. Ndërkaq, VMRO vendimin gjyqësor do ta shqyrtojë në instancat më të larta partiake, për të vendosur për hapat e mëtejmë.
 
MERAL ISMAILI