Botë

Sulmi në Zelandën e Re, i dyshuari akuzohet për vrasje

16.03.2019 12:40

Një burrë 28-vjeçar nga Australia, që dyshohet se ka kryer sulme në dy xhami në Zelandën e Re...

Një burrë 28-vjeçar nga Australia, që dyshohet se ka kryer sulme në dy xhami në Zelandën e Re, ka dalë para gjykatës për të mësuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Brenton Tarrant më 16 mars teksa ka hyrë në gjykatë në Kristçërç ka bërë gjeste që konsiderohet se përdoren nga ekstremi i djathtë.

Ai nuk shfaqi asnjë emocion teksa akuza për vrasje po i lexohej. Gjykatësi tha se “është e arsyeshme të supozohet” se ndaj të dyshuarit do të ngrihen akuza të tjera për vrasje.

I dyshuari nuk kërkoi lirim me kusht dhe u urdhërua të dërgohet në mbajtje, deri në paraqitjen e tij të radhës para gjykatës, që është caktuar të mbahet më 5 prill.

Zelanda e Re është në Zi, vetëm një ditë pasi 49 persona u vranë dhe rreth 40 të tjerë u plagosën gjatë dy sulmeve me armë zjarri në xhamitë në Kristçërç.

Këto sulme, kryeministrja e vendit, Jacinda Ardern e cilësoi si “një prej ditëve më të errëta” të vendit të saj.