Maqedoni

Dënimet për 27 prillin, Pendarovski dhe Siljanovska vazhdojnë akuzat

17.03.2019 14:49

Kanë vazhduar akuzat mes dy kandidatëve presidencialë të pushtetit dhe opozitës, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska...

Pas akuzave të një dite më parë në takimin me qytetarët e Sveti Nikolës, në një video paraqitje në rrjetet sociale, Pendarovski shprehu sërisht habi se përse kundër-kandidatja opozitare, ende nuk po gjen forcë për të dënuar dhunën e 27 prillit të dy viteve më parë, kur u sulmua shtëpia më e lartë ligjdhënëse.
 
Ai premtoi luftë të ashpër ndaj kujtdo që do të përpiqet të limitojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
 
“Për fat të keq, kandidati opozitar për president i VMRO-DPMNE-së, nuk mblodhi forca për ta dënuar këtë akt. Me njerëz që nuk kanë vullnet të dënojnë aktet e dhunës, Maqedonia nuk mund të bëhet shtet demokratik  dhe nuk mund të hapërojë përpara”, u shpreh kandidati për president nga LSDM, Stevo Pendarovski.
 
Por Siljanovska kërkon që kundështarët politikë gjatë fushatës, të mos përpiqen t’ia ngarkojnë të gjitha mëkatet e partitë e cila e ka kandiduar.
 
Akuzon se qytetarët përballen me një shtet të kapur , me institucione që janë në duar të elitave të korruptuara, ku  pushteti aktual e largon shtetin nga integrimet evropiane dhe demokratike. 
 
“Fakt është që askush nuk bart përgjegjësi për ikjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Një pjesë e të akuzuarve të 27-prillit,  u amnistuan gjatë kohës së ndryshimit të Kushtetutës , që ata të marrin shumicën e votave, ndërsa këto ditë çuditërisht janë shkatërruar materialet -dëshmi kundër Sasho Mijallkovit, i cili ka qenë shef i shërbimit sekret gjatë kohës së Gruevskit. Ata që erdhën në pushtet me thirrjen: “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, tani po tallen me drejtësinë dhe të drejtën”, thotë Siljanovska në një intervistë për magazinën serbe “Politika.
 
Ajo gjithashtu po ndjek trendin aktual për të tërhequr votuesit e rrjeteve sociale, ku ka publikuar një video në të cilën premton ndryshime në shtet me të njejtën moto të LSDM-së vite më parë, “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU