Zgjedhjet e pjesshme lokale, partitë diskutojnë kandidaturat për dy komuna
Gara për presidencialet, sikur ka lënë në harresë faktin që në vend në të njejtën datë...

Gara për presidencialet, sikur ka lënë në harresë faktin që në vend në të njejtën datë, mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale për të zgjedhur kryetarët e tre komunave.
LSDM, VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët janë partitë e vetme të cilat tanimë kanë caktuar kandidatët e mundshëm për kryetarë në komunat e Ohrit, Novo Sellës dhe Dibrës.
LSDM do të publikojë kandidaturat komunale në konventën partiake në Ohër, por si më të sigurta janë kandidaturat e mjekut Kostantin Gjorgjievski për Ohrin dhe afaristit Nikolla Andonov për Komunën e Novo Sellës. Ende nuk dihet nëse LSDM do të nxjerrë kandidat për Dibrën apo do të mbështesë partnerin shqiptar të koalicionit qeverisës.
Edhe Aleanca garon në Dibër me një mjek. Tashmë është e ditur se ASH do të luftojë për karriken e parë të Dibrës me Arben Agollin.
Nga BDI, PDSH , Besa dhe Alternativa, ende nuk kanë njoftuar zyrtarisht nëse apo me cilët kandidatë do të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Dibër, që mbahen pasi kryetari i deritanishëm Ruzhdi Lata, ndërroi jetë.
VMRO-DPMNE i publikoi javën që shkoi emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në Ohër dhe Novo Sellë.
Opozita maqedonase nuk do të nxjerrë kandidat në Dibër dhe as nuk ka njoftuar nëse do të mbështesë ndonjë kandidat të partive të tjera.
