Maqedoni

Komisioni Europian, Weber: Europa, e paplotë pa Ballkanin

18.03.2019 11:45

“Europa është e paplotë pa Ballkanin”, deklaroi në një samit në Bukuresht....

“Europa është e paplotë pa Ballkanin”, deklaroi në një samit në Bukuresht, kandidati kryesor i Partive Popullore Europiane për postin e presidentit të Komisionit Europian, Manfred Weber. Në samitin e PPE-së, ku merrnin pjesë 3 mijë e 200 delegatë, Weber paraqiti vizionin e tij për kontinentin e vjetër. 
 
“Ne duhet të jetojmë me të njëjtat standarde në të gjithë Europën”,- u shpreh politikani gjerman, duke shpjeguar se si kryetari i KE-së do të favorizonte politikat e zhvillimit rajonal dhe të infrastrukturës. “Unë dua të luftoj për një Europë, që njerëzit ta ndiejnë si Europën e tyre”, deklaroi kandidati konservator.
 
Weber u shfaq tepër i prerë për çështjen e Turqisë dhe tha se, nëse e merr postin që synon, do t’i ndërpresë bisedimet e anëtarësimit me Ankaranë. Mesazhi tjetër i fortë i tij ishte se Europa duhet të afrojë shtetet e Ballkanit.
 
Weber u distancua edhe njëherë nga Victor Orban. Kryesia e PPE-së do të vendosë në ditët në vijim se si do të veprojë me kryeministrin hungarez, pas zërave që kërkojnë përjashtimin, ose pezullimin e përkohshëm të partisë së tij “Fidesz”.