Maqedoni

Dita Ndërkombëtare e Riciklimit, aksion për pastrimin e mbeturinave në Matkë

18.03.2019 16:04

Organizata qytetare “For Selekt” në bashkëpunim me Ndërmarrjet Publike “Higjiena Komunale”....

Organizata qytetare “For Selekt” në bashkëpunim me Ndërmarrjet Publike “Higjiena Komunale” e Qytetit të Shkupit dhe Ndërmarrjen “Parqet dhe gjelbërimet”, në Ditën Ndërkombëtare të Riciklimit, kanë ndërmarrë një aksion për pastrimin e kanionit Matka.
 
Kjo është një ndër qendrat rekreative ku qytetarë të shumtë kalojnë fundjavën, duke lënë pas vetes mbeturina të shumta, prandaj organizatorët e aksionit të sotëm për mbledhjen e mbeturinave apeluan që edhe qytetarët të japin kontributin e tyre që bukuritë natyrore të Matkës dhe qendrave tjera rekreative të mos mbulohen nga mbeturinat. 
 
“Ne kësaj radhe do ta mbyllim rrethin që nga edukimi i banorëve deri te edukimi i vizitorëve, por me kushte për selektim të drejtë të mbeturinave. Fillojmë në Matkë, po zona e gjelbër do të vazhdojë drejt Shishovës dhe Grllumovës, dhe nuk do të ndalemi këtu, çdo vendbanim në vend do të jetë sfidë për ne”,- deklaroi Biserka Rexhiç Muhiç nga “For Selekt”. 
 
“Ne si Higjienë Komunale çdo ditë po bëjmë aksione të tilla. Sot jemi në Matkë, duke përkrahur iniciativën e organizatave joqeveritare për ruajtjen e ambientit në këtë pjesë. Ajo që si mesazh dua ta bëj sot është se duhet të na bashkëngjiten edhe qytetarët, sepse ne e bëjmë mirëmbajtjen për çdo ditë, por mirëmbajtja nuk na takon vetëm neve”,- tha drejtori i NP "Higjiena Komunale", Abdusamed Shabani.
 
“Ne si ndërmarrje, e kam fjalën për hapësirat e gjelbërimit, jemi duke e dhënë maksimumin, kemi rritje të punës për 100%, por mirëmbajtja duhet të jetë e përbashkët. Dje ishim në Vodno, sot atje është katrahurë nga ajo që është bërë nga qytetarët që kanë qenë në Vodno”,- theksoi drejtori i NP “Parqet dhe Gjelbërimet”, Ardijan Muça.
 
Ndërmarrja “Higjiena Komunale” njëherit ka vendosur 40 kontejnerë në Matkë, të cilët do të shërbejnë për selektimin e mbeturinave. 
 
GYLTENE SINANI