Botë
Presidentja Jahjaga, fton partitë të respektojnë vendimin e kushtetueses
27.08.2014 14:38
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka bërë thirrje të gjitha palëve politike që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese...

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka bërë thirrje të gjitha palëve politike që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjes së Isa Mustafës në pozitën e kryetarit të Kuvendit.
Zyra e presidentes, në një deklaratë dërguar “Zërit të Amerikës” thekson: “vendimi i Gjykatës Kushtetuese obligon të gjitha palët që ta respektojnë atë, në përpjekje për të garantuar një proces të drejtë dhe të besueshëm për të siguruar funksionimin e shtetit të së drejtës”.
“Në përputhje me të drejtat dhe detyrimet e saj kushtetuese, si faktor uniteti dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve si dhe në zbatim të vendimeve të Gjykatës kushtetuese, presidentja do të veprojë vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve dhe autonominë e institucioneve”, thuhet në deklaratën e zyrës së presidentes.
Zyra e presidentes thekson se “në interes të vendit dhe të përmbushjes së detyrimeve ndaj qytetarëve dhe proceseve demokratike, konstituimi i shpejtë i Parlamentit të Kosovës dhe institucioneve tjera është i rëndësisë së veçantë”.
Kjo deklaratë lë të nënkuptohet së ajo nuk do të përfshihet në këtë periudhë në procesin që i takon Parlamentit si organi më i lartë ligjvënës.
