Maqedoni
Rasti “Thesari", furnizimet e DSK-së jashtë normave ligjore
18.03.2019 16:35
Ish ndihmës ministri i punëve të brendshme, Gjoko Popovski, i gjykuar në rastet "Tanku" dhe "Treqind"...

Ish ndihmës ministri i punëve të brendshme, Gjoko Popovski, i gjykuar në rastet "Tanku" dhe "Treqind" në deklaratën e tij si dëshmitar i PSP-së në rastin "Thesari", ka shpjeguar sigurimin jolegal të pajisjeve për ndjekjen e komunikimeve nga Britania e Madhe.
Popovski para trupit gjykues ka sqaruar se pajisjet për nevojat e kësaj drejtorie, zakonisht janë siguruar në mënyrë shumë konfidenciale dhe asnjëherë në bazë të Ligjit për furnizime publike.
"Nga menaxhmenti në DSK, vetëm vinin dhe gojarisht apo me shkrim theksonin se duhet të sigurohet diçka për Drejtorinë. Unë atë kërkesë e përcjellja deri në Komisionin Special për Furnizime Publike pranë DSK-së dhe ata blinin çka duhej. Ishim të mbrojtur me nenin 7 të Ligjit për furnizime publike ,sipas të cilit të gjitha furnizimet që kanë të bëjnë me DSK-në nuk janë subjekt saj".
Në mesin e dëshmive si pjesë e këtij procesi gjyqësor ishin edhe bisedat e përgjuara mes ish funksionarëve brenda dhe jashtë MPB-së.
Në bisedën telefonike mes ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov, dhe vëllait të tij, Vllatko Mijallkov, i cili drejtonte me doganat, jepen udhëzime për pajisjet e porositura për DSK-në, e të cilat kanë arritur në aeroport.
Në bisedat telefonike mes tjerash theksohet se bëhet fjalë për pajisje të sofistikuar dhe sensibile, e cila është mjaft konfidente dhe nuk guxon të hapet.
Në rastin "Thesari" i akuzuari i parë është ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish shefi i kabinetit të tij, Toni Jakimovski, ish ndihmësministri në MPB, Nebojsha Stajkoviq, dhe ish shefi i Drejtorisë së pestë pranë MPB-së, Goran Grujevski.
Të akuzuarit në këtë rast ngarkohen për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare dhe dëmtim të buxhetit gjatë sigurimit pajisjeve elektro-komunikuese për nevojat e Drejtorisë së pestë dhe trajnimin për shfrytëzimin e saj nga një kompani nga Britania e Madhe në lartësi prej 820 mijë euro.
Ndryshe, në Gjykatën Penale, seancë gjyqësore është zhvilluar edhe për rastin "TNT", që ka të bëjë me rrënimin e objektit "Kosmos" në pronësi të Fiat Canovskit.
Seanca është zhvilluar me deklarimin e këshilltarit teknik në sferën e gjeodezisë. Në lëndën “TNT”, mes të akuzuarve janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakieski, dhe ish-kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski.
FLORIJE BELULI KAMBERI
