Maqedoni
Bruksel, Osmani e Dimitrov raportojnë për arritjet. Maqedonia e Veriut po zbaton Planin 18. Franca dhe Holanda ende në hamendje
18.03.2019 16:48
Zëvendëskryetari i Qeverisë, Bujar Osmani, dhe ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov...

Zëvendëskryetari i Qeverisë, Bujar Osmani, dhe ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, kanë informuan ministrat për punë të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për arritjet e Maqedonisë së Veriut në drejtim të plotësimit të kushteve për fillimin e negociatave aderuese në qershor të këtij viti.
Në mëngjesin e punës, nën organizimin e Greqisë dhe Rumanisë, Osmani dhe Dimitrov kanë folur për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, si dhe për pritjet e përgjithshme nga vendet anëtare në drejtim të marrjes së vendimit për fillimin e negociatave.
“Qëllimi ynë është të transformohemi dhe të bëhemi evropianë në mënyrën se si funksionon sistemi ynë. Interesat tona mbeten të njëjta – na nevojitet fuqia transformuese e BE-së për krijimin e një Ballkani Europian, më stabil dhe më prosperues”,- tha ministri Dimitrov.
Sipas Osmanit, Planit 18, që pasqyron udhëzimet dhe konkluzionet e samitit të vjetshëm të Këshillit të BE-së, po zbatohet me dinamikë dhe cilësinë e paraparë dhe pret që kjo të theksohet në raportin e ardhshëm të Komisionit Europian.
“Kemi dinamikë solide të implementimit të reformave të Planit 18 dhe progres serioz në të gjitha fushat e definuarа: sundimit të së drejtës, shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, reformave në administratën publike dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”,- theksoi Osmani.
Mirëpo, përkundër vullnetit të shumicës së vendeve anëtare të BE-së që të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut, ende ekziston rezistencë nga Franca dhe Holanda. Ministri i jashtëm holandez, Stef Bllok, ka thënë se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të shënojë rezultate në zbatimin reformave.
“Me rëndësi është që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të avancojë. Holanda është e ashpër dhe e drejtë në drejtim të plotësimit të kushteve dhe mendoj se më e rëndësishme është që Maqedonia e Veriut të tregojë rezultate të qarta, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, - ka thënë Bllok.
Raporti i ardhshëm i Komisionit Europian përsëri do të paraqesë bazë për konfirmimin e vendimit nga ana e Këshillit të Europës në qershor, për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut, këtë vit.
SHPËTIM NUREDINI
