Maqedoni

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari: nga 1 maji prejardhja e mishit e detyrueshme. Qytetarët: cilësia e mishit jo në nivelin e duhur

18.03.2019 17:13

Nga 1 maji i këtij viti, konsumatorët do të dinë sa ujë, sa proteina dhe sa aditivë ka në mishin e bluar të paketuar...

Nga 1 maji i këtij viti, konsumatorët do të dinë sa ujë, sa proteina dhe sa aditivë ka në mishin e bluar të paketuar dhe në produktet tjera nga mishi që do t’i blejnë nëpër mishtore.
 
Në rregulloren e cila u promovua nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thuhet se krahas proteinave, në deklaracionet e këtyre produkteve patjetër duhet të qëndrojë edhe përmbajtja e kolagjenit në proteinat e mishit, ndërsa e detyrueshme do të jetë edhe prejardhja e mishit.
 
“Në rregulloren precizohen saktë një sërë çështjesh të cilat kanë të bëjnë me kualitetin e mishit, me çka përmirësojmë klimën e ekonomisë në këtë drejtim. Rregullat e reja janë në drejtim të përmirësimit të të drejtave të konsumatorëve dhe sigurimit të informacioneve. Duhet të ketë deklarim detyrues për prejardhjen e mishit, dhënies së informacionit, nëse produkti është nga mishi i freskët apo nga mishi i ngrirë, deklarim i përmbajtjes së proteinave të përgjithshme dhe përmbajtjes së ujit në produkte e kështu me radhë”,- tha drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Zoran Atanasov.                                                                                                                           
Nëse nga 1 maji këto informacione nuk do të shkruhen në deklaratat e këtyre produkteve nga ana e kompanive, sipas ligjit, do të gjobiten prej 500 deri 1500 euro.     
                                    
Qytetarët e anketuar nga TVM2 theksojnë se cilësia e mishit në vend nuk është në nivelin e duhur, ndërsa iu bëjnë thirrje autoriteteve që t’i shpeshtojnë kontrollet nëpër thertoret publike.                                                                                                                                               
“Mish i Brazilit i mbushur gjithandej nga të sillesh, pa asnjë çfarë kontrolli, pa asnjë çfarë gjëje. Shumica nuk shikojnë kualitetin, por vetëm çmimin”,- tha një qytetar.
 
“Më mirë 2 kg mish dhe ta dijë që e pret, se sa 5 apo 6 kg dhe që është importuar nga jashtë, atë frikohem ta ha, tregoj drejtë. Ajo duhet të kontrollohet, unë jam për kontroll”,- theksoi një qytetar.  
 
“Kam një mik që punon në mishtore, mendoj që më shërben me mish të mirë. 2 herë në javë i konsumojë produktet e mishit dhe zakonisht i kontrolloj deklaracionet që i posedojnë”,- tha qytetar. 
                                                                                                                                              
Për rreth një vit e gjysmë, pasi industrive të mëdha iu mundësua të importojnë mish të ngrirë pa ndonjë detyrim doganor, në vend janë importuar mbi 4,500 ton mish, i cili për dallim nga mishi i freskët, kushton dyfish më lirë.
 
Nga Agjencia për Ushqim thonë se gjatë kontrollit të realizuar më 8 mars kanë hasur në shumë raste kur mishi i ngrirë është shitur si mish i freskët.
 
ZEKIRIJA MEXHITI