Maqedoni
Reformat në segmentin e sigurisë, ekspertët me sugjerime për propozim-ligjin
18.03.2019 17:47
Profesorët e sigurisë prezantuan vërejtjet e tyre lidhur me propozim-tekstin e Ligjit për Agjencinë për Siguri Kombëtare...

Profesorët e sigurisë prezantuan vërejtjet e tyre lidhur me propozim-tekstin e Ligjit për Agjencinë për Siguri Kombëtare dhe Ligjit për koordinimin e njësive të sigurisë, i cili u ndodh në debat publik në komisionin amë në kuvend.
Ata vlerësojnë se trupi koordinues i njësive të sigurisë do të lejonte përqendrim të fuqisë te kryeministri.
“Përmes Ligjit të ri për koordinim të bashkësive të sigurisë, institucionit President ekziston rreziku që t’i merren kompetencat dhe t’i pamundësohet t’i zbatojë detyrimet e rregulluara me kushtetutë”,- tha profesori universitar, Marijan Gjuroski.
“Mendoj se shumë mekanizma fiton kryeministri. Nëse duam që ta shmangim këtë tingull politik do të duhej të gjendet tjetër model. Nëse këshillin do të duhej ta udhëheq dikush tjetër dhe të marrë pjesë ndoshta edhe sektori civil apo kuvendi, pra të gjendet një model dhe të mendohet në këtë drejtim”,- tha profesori universitar, Zlate Dimovski.
Ndërkohë, drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, Oliver Spasovski, dhe Agim Nuhiu deklaruan se reformat në segmentin e sigurisë kanë për qëllim të sigurojnë më shumë kontroll në zbatimin e metodave që aplikohen edhe në vendet europiane, të jetë modern, profesional i pandikuar politikisht dhe me sistem të standardizuar.
“Qëllimi kyç i kësaj reforme është vendosja e bazave të një shërbimi modern, profesional dhe të zhvilluar. Punonjësit nuk duhet të jenë anëtarë të një partie politike. Prandaj, një segment i rëndësishëm është përzgjedhja e punonjësve që do të duan të punojnë në ASK”,- tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
“Maqedonisë së Veriut i duhet etablim dhe funksionim i sistemit të standardizuar të sigurisë, i vendosur në lidhje harmonike dhe simetri me partnerët tanë euroatlantikë, i hapur për bashkëpunime intensive regjionale”,- tha zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu.
Me ndryshimet ligjore parashikohet që DSK-në ta zëvendësojë Agjencia për Siguri Kombëtare, e cila do të themelohet rishtazi dhe jashtë MPB-së. Drejtorin e saj do ta zgjedhë Qeveria me propozim të kryeministrit, i cili do të drejtojë edhe trupin koordinues për bashkësitë e sigurisë.
NAIM RAMADANI
