Maqedoni

Gjykimi për “Maxhar Telekom”, Mickoviq ankohet se e kanë kërcënuar

18.03.2019 18:05

Në gjykimin për rastin e PSP-së “Maxhar Telekom”, ish- kryetari i Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Maqedonisë”, Dejan Mickoviq...

Në gjykimin për rastin e PSP-së “Maxhar Telekom”, ish- kryetari i Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Maqedonisë”, Dejan Mickoviq, në cilësinë e dëshmitarit, tha se është kërcënuar vazhdimisht me jetë që të mos dëshmojë para organeve amerikane gjyqësore.
 
Në pyetjet e prokurores speciale, Lile Stefanovska, ai tha se një pjesë e madhe e këtyre kërcënimeve i kanë ardhur nëpërmjet e- mail adresës së tij, por ka pasur një rast në vitin 2008 kur në zyrën e tij të fakultetit juridik në Shkup, një person i panjohur e ka paralajmëruar që të mos dëshmojë.
 
Mickoviq nuk tregoi emra se nga kush është kërcënuar, por sqaroi se këto kërcënime i ka denoncuar tek ish-kryeprokurori, Marko Zvrllevski.
 
Para gjykatës po ashtu ai tha se ish-kryeministri, Vllado Buçkovski, personalisht i ka thënë Mickoviqit se ky proces është politikisht i montuar. Avokati i të pandehurit, Atilla Sendrei, tha se pyetjet nuk kishin lidhje me klientin e tij. 
 
“Një pjesë e madhe e pyetjeve të prokurores speciale fare nuk kishin të bëjnë me klientët e mi, Atilla Sendrei dhe të tjerët. Ndoshta dëshmitari ka pasur qëndrimet e veta dhe ndoshta pyetjet ishin të dedikuara për dikë tjetër, unë nuk e di, por ne sqaruam se një pjesë e madhe e atyre pyetjeve nuk kanë të bëjnë për veprimet e klientëve të mi për të cilët akuzohen. Prandaj mendoj se dëshmia e dëshmitarit është në mbështetje të palës mbrojtëse për refuzimin e aktakuzës”,- deklaroi avokati i Atilla Sendrei, Nenad Janikeviq.
 
Për rastin “Maxhar Telekom” akuzohen tre ish ish-drejtorët e Telekomit të Maqedonisë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, organizimin e kontratave konsulente fiktive me Kompaninë e konsulencës “Chavtex holdings Limited” nga Qipro, duke dëmtuar kështu për 4 milion euro Telekomin dhe për 2 milion euro buxhetin e shtetit, meqë në atë periudhë Qeveria zotëronte 47% të aksioneve të kompanisë.
 
Gjykimi i radhës është caktuar për të mërkurën. Në vazhdim të seancave pritet edhe dëshmia e ish-drejtorit të DSK-së, Sllobodan Bogoevski, i cili në vitin 2015 në gjykatën e qarkut në Nju Jork dëshmoi se ish drejtorët e “Maxhar Telekom” i kanë dhënë 2.5 milionë euro ryshfet ish-kryeministrit Buçkovskit dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe dy zyrtarëve të lartë të saj për të mos lejuar që në vend të hyjë operatori i dytë.
 
Por, pas ngritjes së procedurës për shpifje nga ana e funksionarëve të lartë të BDI-së, Gjykata Themelore në Shkup vitin e kaluar solli vendim se Bogoevski ka shpifur.
 
REXHEP QAMILI