Maqedoni
Bisedimet për fatin e PSP-së, Zaev: nuk do të ketë pazar për PSP-në. VMRO: të merren seriozisht sugjerimet tona
18.03.2019 18:23
Qeveria dhe opozita kanë nisur bisedimet mbi projekt-ligjin për Prokurorinë Publike që kontrollon punën e ardhshme dhe bashkimin e saj...

Qeveria dhe opozita kanë nisur bisedimet mbi projekt-ligjin për Prokurorinë Publike që kontrollon punën e ardhshme dhe bashkimin e saj me Prokurorinë Speciale Publike.
Por, pavarësisht ecurisë së këtyre bisedimeve, kryeministri, Zoran Zaev, ka hedhur poshtë çdo tentim të politikës për të ndikuar në punën e Prokurorisë Publike.
Zaev po ashtu theksoi se bisedimet për të ardhmen e PSP-së nuk do të jenë Pazar me krimin dhe kriminelët.
“Kush jam unë, kush është Mickovski, kush jemi ne të gjithë, ky është një institucion serioz i vendit. Këto nuk janë negociata, por bisedime të grupeve të punës, të dy partive më të mëdha në vend, dhe ne këtu jemi të përfaqësuar si pjesë e kualicionit qeverisës. Sipas meje, bëhet fjalë për bisedime në përpjekje për të siguruar një funksionim të drejtë të sistemit të drejtësisë, i cili ka për qëllim ta përforcojë Prokurorinë Publike në vend, ku kemi për qëllim në kuadër të kësaj Prokurorie Publike ta vendosim edhe Prokurorinë Speciale Publike me të gjitha kapacitetet, si prokurorët publikë, hetuesit, me qëllim që të njëjtit të vazhdojnë t’i ndihmojnë gjyqësorit në vend. Një sistem serioz të Prokurorisë Publike patjetër që duhet ta kemi, edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe të ekspertëve të kësaj lëmie, të gjithë e kanë dëshmuar se kemi një ligj shumë të mirë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE akoma nuk e kanë të qartë qëndrimin e Qeverisë, se a dëshiron përmes këtyre takimeve të grupeve të punës t’i marrin sinqerisht sugjerimet e opozitës, apo do të mbajnë vetëm takim sa për sy e faqe.
“Presim që Qeveria në këto grupe të punës të futet e hapur dhe me sinqeritet, që t’i dëgjojë dhe t’i pranojë faktet dhe argumentet tanë për mungesat të cilat ekzistojnë në ligjet e tyre ekzistuese, apo edhe në versionet e propozim ligjet të cilat i kanë hartuar dhe dëshirojnë t’i sjellin. Pas takimit të parë do ta dimë se në cilën rrugë Zoran Zaev dëshiron ta çojë vendin, në rrugën e sundimit të së drejtës, apo në mosfunksionim të sistemit të drejtësisë”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
Kërkesa e opozitës maqedonase akoma mbetet që Prokurorinë Publike të mos e udhëheq Katica Janeva, ndërsa tema e dytë do të jenë ligjet e Agjencisë për Siguri Nacionale.
Sipas informacioneve jo-zyrtare, afati për një marrëveshje eventuale mbetet fundi i muajit, respektivisht para pushimit që i takon Kuvendit për shkak të fushatës parazgjedhore.
Këto ligje janë me rëndësi të veçantë për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE në muajin qershor.
FITIM KRYEZIU
