Maqedoni

Zaev dhe Grubi: ligjet sociale do të miratohen së shpejti

18.03.2019 18:45

Partnerët e koalicionit janë marrë vesh që pakon e ligjeve sociale të mos e kthejnë për herë të tretë në Qeveri...

LSDM dhe BDI janë pajtuar që të ndërhyhet me amendamente të harmonizuara. Kryeministri, Zoran Zaev, pret që pakoja sociale të miratohet në seancën e 25 marsit.
 
“Shpresoj se do të miratohen së shpejti. Nëse mund të votohen dhe publikohen deri në fund të muajit, qytetarët do të mund që në prill ta marrin ndihmën sociale të rritur”,- tha kryeministri, Zoran Zaev. 
 
“Nuk kemi dallime me partnerët e koalicionit sa i përket paketës sociale dhe veçse jemi marrë vesh. Prej vitit të ardhshëm, fëmijët që lindin, shtesën do ta marrin vetëm familjet e kategorisë sociale që arrijnë deri rroga minimale”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
Çdo fëmijë i tretë që lind deri në fund të vitit, shtesën do ta marrë sipas ligjit aktual, që nënkupton për 10 vitet e ardhshme.
 
Po ashtu në reformën sociale përfshihet edhe pensioni social për qytetarët mbi moshën 65 vjeçare, për çka me insistim të BDI-së do të hiqet kushti për të paktën një ditë stazh pune.
 
Shtesa do t’i takojë çdo qytetari i cili plotëson kushtin e moshës dhe që nuk posedon pasuri nga e cila përfiton të ardhura, si objekt nën qira, tokë pjellore apo pasuri tjetër e cila i sjell të ardhura mujore. 
 
SEDAT SELIMI