Maqedoni
Takohen grupet e punës të partive politike. Diskutohet rreth propozim-ligjit për Prokurorinë
18.03.2019 19:00
Grupet e punës të partive në pushtet dhe të opozitës, janë takuar për të diskutuar rreth propozim-ligjit për Prokurorinë Publike...

Grupet e punës të partive në pushtet dhe të opozitës, janë takuar për të diskutuar rreth propozim-ligjit për Prokurorinë Publike, ku propozohet të inkorporohet edhe Prokuroria Speciale.
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, para takimit tha se është me rëndësi që ligji i ri të jetë një ligj me standarde ndërkombëtare.
“Me rëndësi është të kemi ligj që do të ketë standarde ndërkombëtare, të gjithë që do të jenë sot në takim duhet të jenë të vetëdijshëm se nën standardet të cilat do të nënkuptojnë Prokurorinë Publike dhe Speciale, objektive dhe me kapacitet si organ afatgjatë, nuk mund te arrijmë marrëveshje. Sepse të sjellim ligj vetëm sa për ta pasur, nuk është një veprim që duhet të arsyetohet dhe nuk është e nevojshme, për këtë arsye apeli im është që të gjithë pjesëmarrësit e takimit të sotëm duhet të punojnë patjetër në sjelljen e një ligji kualitativ dhe sipas standarde dhe jo të sillet ligj që shkelësit e mëparshëm të ligjit t’ju ikin përsëri përgjegjësisë”,- deklaroi ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.
Anëtari i BDI-së, Artan Grubi, tha se grupi i BDI-së mbështet zgjidhjen ligjore dhe se shpresojnë të bindin edhe kolegët e opozitës.
“Propozim ligji që është miratuar në qeveri, tashmë është dorëzuar në Parlament dhe është në pajtueshmëri mes LSDM-së dhe BDI-së e shpresojmë ta marrim mbështetjen edhe nga VMRO-ja dhe grupet tjera parlamentare. BDI-ja mbështet zgjidhjen ligjore dhe shpresojmë t’i bindim edhe kolegët tanë nga opozita”,- tha Artan Grubi nga BDI.
Derisa përfaqësuesi i grupit të punës së VMRO-DPMNE-së, Toni Menkinovski, tha se ata si opozitë do të jenë konstruktivë dhe se ky është vetëm fillimi i procesit, ndërsa kërkesat e opozitës janë edhe pjesë e kërkesave të sektorit civil.
“VMRO-DPMNE-ja do të japë vërejtje konstruktive dhe ky është fillim i gjithë procesit. Vërejtjet e VMRO-së janë vërejtjet e sektorit civil. Bëhet fjalë për një proces të Prokurorisë Publike, ndërsa Prokuroria Speciale është vetëm një pjesë e gjithë këtij procesi. Shpresojmë të gjejmë gjuhë të përbashkët për të arritur marrëveshje”,- theksoi përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Toni Menkinovski.
Për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Prokurorinë Publike, opozita si fillim kërkon kryeprokuror me propozim të saj dhe hapjen e rasteve për të cilat dyshon se janë të montuara politikisht.
