Holandë, vriten tre persona në një tramvaj në Utreht
Tre persona u vranë nga të shtënat në një tramvaj në qytetin Utreht të Holandës...

Po ashtu në këtë sulm i cili sipas policisë mund të jetë sulm terrorist, kanë mbetur të plagosur edhe nëntë persona të tjerë.
Policia tha se është në kërkim të një 37-vjeçari turk, i identifikuar si Gokmen Tanis, dhe i paralajmëroi qytetarët që të qëndrojnë larg tij.
Shkollat në Utreht u mbyllën, derisa policia anti-terrorizëm po punon në gjetjen e sulmuesit të dyshuar.
"Nuk mund ta përjashtojmë motivin terrorist", tha koordinatori për anti-terrorizëm i Holandës, Pieter-Jaap Aalbersberg.
Ai po ashtu bëri të ditur se niveli i kërcënimit të terrorizmit në Utreht është rritur në shkallën më të lartë - pesë - për 18 orët e ardhshme.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, e anuloi një takim me koalicionin e tij qeveritar, pasi u njoftua për situatën, thanë zyrtarët.
Shërbimet e sigurimit raportohet se i kanë kërkuar Qendrës Mjekësore Universitare të Utrehtit të hapin një repart të veçantë për të ndihmuar në kujdesin për të plagosurit.
Autoriteti i transportit të Utrehtit tha se disa shërbime të tramvajit po vazhdojnë në qytet, ndonëse i paralajmëroi udhëtarët që "t'i kenë parasysh vonesat".
