Futboll

Maribori i Agim Ibraimit në grupet e Ligës së Kampionëve

27.08.2014 14:44

Maribori i Agim Ibraimit është surpriza e madhe e ndeshjeve të play-offit për një vend në fazën e grupeve...

Një gol I Tavaresit në minutën e 75 i dha sllovenëve të drejtën të kalojnë në turin tjetër të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e parë në Slloveni kishte përfunduar në barazim, 1-1. Porto, Apoel, Bate, Zenit janë katër ekipet tjera, të cilat do të luajnë në fazën e grupeve.

Porto arriti të fitojë edhe ndeshjen e dytë ndaj Lilles me rezultatin 2-0. BATE Borisovi, ekipi i cili eliminoi nga ky kompeticion Skënderbeun, falë një goli në fushë kundërshtare, mposhti 3-0 Slovan Bratislavën dhe vazhdon në grupre, pasi ndeshja e parë kishte përfunduar 1-1.

Gjithashtu një vend për në 32 ekipet më të mira europiane do të ketë edhe për qipriotët e Apoelit, të cilët kaluan me sukses Aalborgun pasi fituan 4-0 ndeshjen e kthimit. Më herët gjatë së martës, u luajt edhe ndeshja tjetër mes Zenit dhe Standard Liege.

Rusët nuk falën në fushën e tyre, ku protagonist kryesor ishte braziliani, Hulk, i cili realizoi dy gola në fitoren 3-0.

Ndërkohë, sonte do të luhen edhe 5 ndeshjet e tjera të play-offit, ku pa diskutim vëmendja kryesore është e përqendruar në Angli, me ç`rast Arsenali në Londër do të pret ekipin e Beshiktashit.

Topxhinjët do të kërkojnë plasmanin e 16-të të njëpasnjëshëm në grupe, ndërsa ndeshja e parë në Stamboll ishte mbyllur pa gola.