Maqedoni
Mungesa e makinave të ndihmës së shpejtë, sigurohen 12 ambulanca, adaptohen dhe 8 vetura
19.03.2019 15:42
Sistemi shëndetësor në vend, krahas problemeve të tjera, është përballur në vazhdimësi me mungesën e ambulancave....

Të gjitha spitalet kanë probleme me veturat e ndihmës së shpejtë që në shumicën e rasteve janë të amortizuara dhe pa pajisjet adekuate. Më problematike është gjendja në shërbimin e ndihmës së shpejtë. Ministria e Shëndetësisë thotë se deri në fund të muajit vijnë 12 ambulancat e para. Përveç kësaj, me vendim qeveritar merren edhe 8 makina nga Ministria e Bujqësisë, që do të adaptohen si makina të ndihmës së shpejtë.
Ministri Filipçe pranon edhe problemin me mungesën e kuadrit mjekësor, por punësime të reja mund të priten vetëm pas zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve shpallet edhe tenderi për furnizim me reagens, për momentin ka sasi të mjaftueshme.
“Me 12 automjetet që kemi siguruar ne si ministri dhe me 8 automjetet shtesë, mendoj se do të mbushim kapacitetet që mungojnë. E dini se nuk janë problem vetëm automjetet, por edhe kuadri mjekësor… të gjithë mjekët e rinj pas licencimit dhe përfundimit të stazhit në Odën e mjekëve, do ta kenë shansin të angazhohen me pagesë gjatë periudhës së paraparë, sipas ndryshimeve të fundit në Ligjin për mbrojtje shëndetësore, pra një stazh prej 6 muajsh, në këtë mënyrë do të mundësohet hyrja e tyre në sistemin shëndetësor”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sot u bë edhe trajnimi i të punësuarve në shëndetësi, shërbimet zjarrfikëse dhe ARM, si të përballen me krizat dhe fatkeqësitë. Projekti mbështetet nga Ministria e Shëndetësisë, Fondi për inovacione teknologjike dhe Qeveria izraelite.
VLORA LATIFI TOPOJANI
