Maqedoni

Ligji për mbrojtjen sociale, Carovska: qytetarët presin jetë më cilësore. “Të gjithë të ngopur”: mos i hidhni ushqimet, ka njerëz që s’kanë ç’të hanë

19.03.2019 16:03

Një ditë para debatit publik për njërin nga ligjet për reforma në sferën sociale...

Një ditë para debatit publik për njërin nga ligjet për reforma në sferën sociale, Ligjin për mbrojtje sociale, ministrja Carovska kërkon që ligji të miratohet sa më shpejt.
 
Ministria që ajo drejton, beson se reforma sociale do të largojë nga pragu i varfërisë 400 mijë qytetarë, qasja deri te shtesat fëmijërore dhe arsimore rritet për 20 herë, ndihma sociale rritet për 300 për qind, mundësohet edhe aktivizim më i lehtë i të papunëve në tregun e punës, përkujtojnë nga MPPS.
 
“Pres që Kuvendi në interes të qytetarëve dhe të varfërve së shpejti të votojë ligjin, sepse ata qytetarë presin nga deputetët një jetë më cilësore se sa u mundëson ligji që ata votuan vetëm dy vjet më parë”,- deklaroi ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska. 
 
Për të zvogëluar varfërinë përkujdesen edhe shoqatat joqeveritare, por edhe kompani të ndryshme.
 
Sot iu ndanë mirënjohjet mbështetësve të projektit “Të gjithë të ngopur”, që synon të nxisë restorantet, marketet dhe të gjithë të tjerët të mos e hedhin ushqimin, por t’ua japin atyre që kanë nevojë, sigurisht bëhet fjalë për ushqime të papërdorura dhe brenda datës së skadencës. 
 
“Ky sistem duhet t’i ndryshojë gjendjet dhe faktet të cilat tregojnë se Maqedonia është vend i cili ndodhet në vendin e 10 në botë për gjuajtje të ushqimit, në kushte kur rreth 460 mijë qytetarë jetojnë nën pragun e varfërisë”,- u shpreh Bllazhe Josifovski. 
 
Sipas të dhënave nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, në vit hidhen 5000 ton ushqim, sasi me të cilën mund të ushqehen 13.000 njerëz, me 3 vakte në ditë, prandaj sektori civil mirëpriti rregullimin ligjor të dhurimit të ushqimit.
 
Franca ishte vendi i parë ku u ndalua ligjërisht asgjësimi dhe hedhja e ushqimit.  
 
REJHANE BUSHI METAJ