Maqedoni
Subvencionet për kompanitë, zgjerohet numri i kompanive, lehtësohen kushtet
19.03.2019 16:22
Qeveria lehtëson kushtet për kompanitë që marrin subvencione nga shteti dhe ka rritur në 47% mjetet buxhetore për këtë qëllim...

Ndryshimet në Ligjin për përkrahje financiare parashohin rritje të numrit të kompanive që do të marrin ndihmë nga shteti, me përfshirjen edhe të sektorëve që deri tani nuk kanë mundur të aplikojnë. Nuk do të vlejë më as kushti që kompanitë të rrisin numri e të punësuarve që të mund të përfitojnë subvencione shtetërore.
“Ligji fokusohet sërish në industri dhe në linjat prodhuese, por me një qasje më të zgjeruar. Aplikimi ishte deri më 30 qershor, tani do të vlejë deri më 30 shtator për t’u mundësuar kompanive të kenë kohë më shumë të përgatisin aplikimet. Pagesa e mjeteve do të bëhet deri më 25 dhjetor njësoj si vitin e kaluar”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
“Vërejtjet e përgjithshme ishin në drejtimin e kritereve, por tani këto janë marrë parasysh. Është mirë që është zgjeruar spektri i përfshirjes dhe që nuk janë mënjanuar kompanitë e sektorit IT e që janë zbutur kriteret edhe për numrin e të punësuarve deri në 5%”,- theksoi Biliana Peeva nga OEMV.
“Shpresoj që mjetet e shtuara, sipas propozimit tonë, të shfrytëzohen sa më mirë nga kompanitë dhe të mënjanohen sfidat që kishim gjatë aplikimit”,- theksoi Aleksandër Zarkov nga LOEMV.
Vjet u shfrytëzuan të gjitha mjetet për ndihmë ekonomike të parashikuara në buxhet që kapnin vlerën prej 35 milionë denarëve. 250 kompani përfituan nga kjo ndihmë 100 prej të cilave kompani vendore. Propozim ligji u diskutua sot me odat ekonomike, duhet të miratohet në qeveri e më pas të dërgohet në Kuvend me ndryshimet e bëra deri në fund të muajit.
GAZMEND KURTISHI
