“Fitorja diplomatike”, përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

19.03.2019 16:51

“Fitorja diplomatike” është libri i ambasadorit, Sabri Kiçmari....

“Fitorja diplomatike” është libri i ambasadorit, Sabri Kiçmari, që shpalos histori nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në librin që u promovua sot në Shkup në Universitetin “Nënën Tereza”, Kiçmari tregon ngjarjet më të rëndësishme që ndodhnin në Europë  për Kosovën e që kishin lidhje me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe politikanëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Libri është botuar nga gazeta “Epoka e re”.

“Ne kemi bërë një konferencë në prill të vitit 1989 me përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare për të organizuar rezistencën ose të realizojmë idenë e Republikës së Kosovës, që nuk ishte gjë tjetër veç ide për pavarësisë së Kosovës. Nëse do të kishit pyetur cilindo nga njerëzit, nëse do të mundej diplomacia e UÇK-së të ngadhënjejnë  mbi atë përvojë, atë sistem të sofistikuar të diplomacisë serbe në vitet 90, me diplomatë, ambasadorë dhe ministër të jashtëm me decenie që kanë pasur dhe të fitojmë luftën diplomatike, duke e pasur në mbështetje komplet perëndimin,  vështirë që do të mund të ishte besuar në atë kohë”,- tha autori i librit, Sabri Kiçmari.

“Ka qenë e paimagjinueshme, e tërë kjo para 30 viteve të promovojmë faktikisht UÇK-në në Shkup, në universitet shtetëror në gjuhën shqipe. Vetëm guximtarët dhe idealistët e mëdhenj para 30 viteve do të parashihnin Kosovën e pavarur, Maqedoninë shtet ku shqiptarët i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe janë element shtetformues me gjuhë, arsim, universitet dhe përfshirje nëpër të gjitha institucionet shtetërore dhe që me letërnjoftim kalojnë kufirin me Shqipërinë”,- u shpreh promovuesi i librit, Agron Buxhaku.