Maqedoni

Zjarre në malësinë e Karadakut, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

19.03.2019 17:09

Mbi 80 zjarre janë regjistruar që mbrëmë në malësinë e Karadakut...

Era gjatë natës së mbrëmshme u ka pamundësuar zjarrfikësve të shumtë në terren të venë flakët nën kontroll.
 
Falë intervenimit me avion është arritur lokalizimi i përkohshëm i zjarrit që përfshiu mbi 50 hektarë pyje në sektorin mes Kumanovës dhe Shkupit.
 
“Fillimisht zjarret ishin në territorin e Shkupit, por pas pak zjarret u zgjeruan edhe në territorin e Kumanovës, gjatë ditës së djeshme dy ekipe i dërguam atje për intervenim, edhe zjarrfikësat erdhën në kohë, por ja që ishte e pamundur që ata të ngjiten lartë, pasi kishim të bëjmë me terren të papërshtatshëm. Zjarri ishte i madh dhe u detyruam që të intervenojmë në Shkup që më pas të angazhohen avionë, çka edhe me intervenimin e tyre korrëm sukses dhe u lokalizua zjarri”,- tha drejtori i N. P. “Pyjet e Maqedonisë” – Kumanovë, Luan Bajrami.
 
“Nuk është sezoni as i pikniqeve e as i, siç praktikojmë ne të themi, sezoni i zjarreve. Nga fillimi i marsit, pra për 18 ditë, kemi mbi 80 intervenime në sipërfaqe të hapura nga të cilat dhjetëra zjarre kemi të paraqitura në viset malore. Konkretisht dje dhe pardje kishim zjarr në vendin e ashtuquajtur “Vllahin Grob” në malësinë e Karadakut. Terreni ishte i papërshtatshëm, zjarri përhapej nga territori i Shkupit në atë të Kumanovës, prandaj nuk kishte kurrfarë mundësish që atje si brigadë të intervenojmë në shuarjen e zjarrit”,- theksoi Dejan Ilievski – Komandant i “BTZ” – Kumanovë.  
 
Para kamerës së TVM2, shqetësimin e tyre e shprehën edhe banorët e fshatit Mateç, të cilët dyshojnë se ndokush zjarret i shkakton për përfitime personale.
 
“Në malësinë e Karadakut kemi shpesh zjarre, pothuajse çdo vit, çdo muaj në të gjitha këto sipërfaqe kemi ndezje të zjarreve edhe atë të qëllimshme, sepse dikush përfiton nga këto”,- u shpreh një banor. 
 
“Nuk besoj se këtë e shkaktojnë ata që presin drunj, por besoj dhe mendoj se ndokush paguhet për këtë që po e bën. Apeloj deri te të gjithë që mos ta djegin malin, pasi që është pasuri e jona”,- theksoi një banor. 
 
Mbeten aktual apelet e institucioneve përkatëse për mosndezjen e zjarreve në sipërfaqe të hapura dhe mbrojtjen e pyjeve nga zjarret.
 
FATLUM AQIFI