Botë
Masakra në Zelandë të Re, Australia dënon deklaratat e bëra nga Erdogani
20.03.2019 11:50
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka dënuar deklaratat e bëra nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan....

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka dënuar deklaratat e bëra nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas masakrës në Zelandë të Re, duke paralajmëruar se vendi i tij do të konsiderojë “gjitha opsionet” për shqyrtimin e raporteve me Turqinë.
“Deklaratat e bëra nga presidenti turk Erdogan, unë i vlerësoj shumë ofenduese ndaj australianëve dhe të pamatura në këtë situatë shumë të ndjeshme”,- tha kryeministri Morrison.
Presidenti turk, Erdogan, më herët tha se australianët anti-myslimanë, do të "ktheheshin në arkivole" si gjyshërit e tyre në Gallipoli, vend i një beteje të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore. Më shumë se 8 mijë ushtarë australianë dhe të Zelandës së Re, vdiqën duke luftuar kundër forcave turke, pranë qytetit bregdetar, dhe beteja konsiderohet një ngjarje e madhe në historitë e të dy vendeve. Qytetarët e të dy vendeve çdo vit udhëtojnë në muajin prill në Gallipoli për të shënuar përvjetorin e betejës. Kryeministri Morrison tha se Erdogan, ka fyer kujtimin ndaj ushtarëve australianë dhe të Zelandës së Re.
"Unë pres, dhe unë kam kërkuar, që këto komente të qartësohen, të tërhiqen",- tha Morrison.
Një 28-vjeçar australian, i cili besohet të jetë një supremacist i bardhë, është akuzuar për vrasje në sulmet masive të 15 marsit në dy xhami në Zelandën e Re, që lanë të vdekur 50 persona. I dyshuari shkroi një manifest që përfshinte tone anti-myslimane.
