Fati i PSP-së, Boshnjakovski: ka dallime serioze mes palëve; VMRO-DPMNE: kemi propozime konkrete, varet a i pranon shumica

20.03.2019 14:25

Grupet e punës do të mblidhen sërish të premten, në një përpjekje të re për të përafruar qëndrimet rreth propozim-ligjit për Prokurorinë Publike...

Grupet e punës do të mblidhen sërish të premten, në një përpjekje të re për të përafruar qëndrimet rreth propozim-ligjit për Prokurorinë Publike, që zgjidh edhe statusin e PSP-së.
 
Në takimin e dështuar të së hënës, pushteti dhe opozita u dakorduan që t`i shqyrtojnë argumentet edhe një herë.
 
Qeveria kundërshton fuqishëm idenë që PSP-ja të jetë pjesë e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe këmbëngul që Specialja të vazhdojë të jetë prokurori më vete e jo departament shtesë i ndonjë prokurorie tjetër.
 
VMRO këmbëngul që PSP të jetë pjesë e PKOK-ut, duke u arsyetuar se Specialja nuk guxon të vazhdojë të mos i japë askujt llogari për punën dhe buxhetin e saj.
 
Qeveria pranon dallimet serioze mes palëve edhe për afatet e ngritjes së akuzave. Presin amendamentet që të enjten opozita do t’i dorëzojë në kuvend. 
 
“Po, ekzistojnë dallime të mëdha kyçe mes opozitës dhe qeverisë për këtë çështje. Siç e dini, opozita kërkon PSP të jetë sektor në kuadër të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion, e jo prokurori e veçantë, siç po kërkon qeveria. Dallimi i dytë kryesor është për fatin e hetimeve që janë në procedurë në vijim dhe akuzat që janë ngritur pas skadimit 18 mujor të PSP-së. Kjo do të thotë se për këto dy dallime do të bisedohet, por për ne mbetet propozim ligji i ri për PSP-në, mbetet zgjidhja më adekuate dhe mendojmë se i njëjti duhet implementuar pa zvarritje”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Nga VMRO-ja opozitare nuk zbulojnë se si më konkretisht do të veprojnë në ditët në vijim për Ligjin e ri të PSP-së.
 
“Dua të rikujtoj se ligji aktual për Prokurori Publike është prej vitit 2007. Tani pas 12 viteve po përgatitet ligj i ri për prokurori dhe i njëjti duhet të јеtë i qëndrueshëm, t’i përfshijë të gjitha elementet që janë inkorporuar në ligjet e deritanishme dhe në të përfshihen të gjitha normat europiane. VMRO-DPMNE merr pjesë në drejtim të përgatitjes së tekstit, ligjor ku do të përfshihen të gjitha këto elemente, por është vendimi i shumicës parlamentare nëse do t’i pranojë ose jo këto elemente të cilat janë në drejtim të funksionimit të Prokurorisë, të kujdesjes ndaj të gjithë qytetarëve, luftën kundër korrupsionin dhe funksionimin e shtetit ligjor”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
 
Mazhoranca shpreson që Ligji për Prokurori Publike të miratohet para fillimit të fushatës parazgjedhore për presidencialet, por kjo do të shihet nga ecuria e takimeve të grupeve të punës së pushtetit dhe opozitës. Ligji është një nga kushtet për hapjen e negociatave me BE-në në qershor.
 
REXHEP QAMILI