Rritja ekonomike dhe konkurrenca, bizneset: Punë ka, na duhen profesionistë

20.03.2019 17:14

Sektori i biznesit rekomandon fuqi punëtore të kualifikuar dhe vende të punës mirë të paguara....

Sektori i biznesit rekomandon fuqi punëtore të kualifikuar dhe vende të punës mirë të paguara. Vetëm kështu kompanive do ju sigurohet konkurrencë më e mirë. Rregullativa e re që propozohet duhet t’i përgjigjet gjendjes ekonomike, kërkohet riorientimi i punësimeve dhe trajnimeve drejt lëmive deficitare, si dhe efikasiteti gjatë punës të jetë kyç, e jo numri i orëve të punës.

“Punëtorët e kualifikuar janë ata që e mbajnë gjallë një kompani dhe kështu ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit”,- tha Nebi Hoxha nga OEMVP.

“Shihet se ka hapje të vendeve të reja të punës, problemi qëndron aty se si t’i mbushim ato vende të zbrazëta dhe si personat që kërkojnë punë dhe presin të punësohen, t’i kualifikojmë që të punësohen në lëmit më të kërkuara”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

“Kërkojmë uljen e nivelit të gjobave të parashikuara me Ligjin për marrëdhënie pune, precizim të obligimeve për pagesën e regresit për pushim vjetor, definim të vëllimit të punës pa marrë parasysh numrin e orëve të punës”,- u shpreh drejtori i projektit të USAID-it, Lubomir Dimovski.

MUNGESA E PUNËTORËVE TË KUALIFIKUAR, EKSPERTËT: BURIMI I PROBLEMIT, SISTEMI ARSIMOR

Ekspertët vlerësojnë se Maqedonia e Veriut ballafaqohet me papunësinë strukturore, mirëpo burimi i problemit konsiderojnë së është sistemi arsimor.

“Në vitin 2005 ne kemi pasur gjithsej 41 fakultete, në vitin 2018 kemi 136 fakultete. Numri i studentëve në vitin 2005 ka qenë 48 mijë studentë, ndërsa sot është diku 56 mijë studentë, d.m.th. për 8 mijë studentë ne kemi hapur 95 fakultete të reja. Buxheti në Maqedoni është rritur për 120% në 10 vitet e fundit në arsimin e lartë, bëhet fjalë për një menaxhim jo të mirë të kësaj njësie”,- theksoi profesori universitar, Gadaf Rexhepi.

Odat ekonomike në vend në bashkëpunim me USAID-in po përpiqen të lehtësojë punën e qeverisë në këtë drejtim përmes tribunave, ku ekspertët japin sugjerimet  e tyre  për  implementimin më të lehtë të ligjeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. (Gazmend Kurtishi, TVM2)