Maqedoni
Besimi: kemi ende sfida për anëtarësim në BE
27.08.2014 17:05
Maqedonia në tërësi i plotëson kriteret dhe obligimet që dalin nga marrëveshja për stabilizim dhe asocim, të nënshkruar me Bashkimin Evropian në vitin 2001...
Këtë vlerësim ka dhënë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, gjatë promovimit të monografisë për dhjetë vjetorin e zbatimit të marrëveshjes në fjalë.
Megjithatë, Besimi tha se akoma kemi sfida dhe punë që duhet t’i përmirësojmë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Maqedonia duhet dhe mund të bëjë më shumë sa u përket marrëdhënieve ndëretnike në vend, forcimin e besimit ndaj institucioneve, lirinë e shprehjes, dialogut politik në vend, Maqedonia mund të bëjë më shumë në krijimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, tha Besimi.
Sipas tij, Maqedonia dallon nga ajo që ishte para nënshkrimit të marrëveshjes sa u përket reformave, institucioneve, kapacitetit demokratik,vlerave ekonomike, si dhe zhvillimin e bashkëjetesës në Maqedoni.
“Një marrëveshje që konfirmon një cilësi të re të partneritetit me BE-në, reformat në sistemin politik ekonomik të vendit, integrim të mirëfilltë në BE dhe reformat që nënkuptojnë krijimin e vlerave evropiane në vendin tonë, marrëdhëniet e mira ndëretnike, përforcimi i besimit në institucionet e vendit, liria e shprehjes dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët, me gjitha këto mund të konstatojmë se Maqedonia pati sukses”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
“Republika e Maqedonisë ka ardhmëri në BE dhe ajo nënkupton përshtatshmëri në shumë fusha, si :transport i të mirave përmes kufirit, e deri në mënyrat e udhëheqjes me mbeturinat”- theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
Kjo marrëveshje është më se e rëndësishme për Maqedoninë dhe BE-në dhe të gjitha rekomandimet janë të rëndësishme për të gjithë.
“Dhjetë vite janë një periudhë e gjatë, pamë stabilizim dhe zhvillim të asocimit dhe është me rëndësi të mbajmë mend se ky është një dokument i rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian edhe në vend”- potencoi sekretari i përgjithshëm i delegacionit të BE-së, Robert Llidwll.
SHBA, plotësisht mbështet Maqedoninë në rrugën e saj euroatlantike.
“SHBA-të nuk janë pjesë e BE-së, por ne në tërësi mbështesim Maqedoninë në rrugën e saj drejt NATO-s dhe besojmë se integrimi i plotë do të sjellë prosperitet dhe stabilitet në tërë rajonin”- tha ambasadori i SHBA-ve, Pol Volers.
Maqedonia është vendi i vetëm i rajonit që në vitin 2001 nënshkroi marrëveshje për stabilizim dhe asocim me BE-në, ndërsa nga viti 2004 filloi edhe miratimi i saj.
FLORIJE KAMBERI
