Maqedoni
Përfaqësues të dhjetëra organizatave civile adresuan këndvështrimet e tyre ndaj propozim-ligjit për mbrojtje sociale,
20.03.2019 18:12
Ekspertët juridikë, por edhe analistët politikë, dolën me qëndrime të ndara rreth fatit të Prokurorisë Speciale...

Ekspertët juridikë, por edhe analistët politikë, dolën me qëndrime të ndara rreth fatit të Prokurorisë Speciale në prag të vendosjes nga grupet e punës të formuara nga LSDM, BDI dhe VMRO-DPMNE.
Eksperti juridik, Bashkim Selmani, në “Argument” në TVM2 nuk e arsyeton rolin e deritanishëm të Speciales në mungesë të një gjykate speciale, por edhe stafit i cili ishte emëruar pikërisht nga politika.
Me konstatimin e tillë nuk pajtohet ish gjykatësi, Fadil Xhelili. Për të, PSP ka vepruar në zbardhjen e krimit të ish regjimit edhe përkundër afatizimit, por edhe obstruksioneve.
“Nuk mund të ketë një prokurori speciale pa një gjykatë speciale, sepse lidhshmëria nga prokuroria deri në gjykatë do të përmbyllej në afatin e caktuar, mendoj funksioni i Prokurorisë Speciale. Unë nuk do ta quaja speciale për arsye se për nga harxhimet që ka bërë kjo Prokurori Speciale ka qenë, mirëpo për nga veprimi i saj ka qenë vetëm një dekor special”,- u shpreh eksperti juridik, Bashkim Selmani.
“Gjashtë muajt e parë pati obstruksione të mëdha Prokuroria Speciale, sepse i ashtuquajturi pushtet i gruevizmit kishte rrënjë dhe akoma kishte ndikim në funksionimin e institucioneve shtetërore. Gabimi më i madh u bë... që u afatizua në 18 muaj procesuimi i lëndëve deri kur ajo mundej të ngrejë aktakuza ndaj të gjithë atyre funksionarëve të përfshirë nëpër të ashtuquajturat ‘bomba’”,- theksoi ish gjykatësi, Fadil Xhelili.
Analisti, Xhelal Neziri, pajtohet me propozimin për shkrirje të Speciales në Prokurorinë e Përgjithshme.
Për analistin, Ilir Luma, Speciales nuk duhet t’i zbehet fuqia.
“Nëse kemi prokurori speciale dhe do të kemi dhe gjykatë speciale, atëherë pse nevojiten gjykatat ose prokuroritë tjera. Është mirë që të inkorporohet Prokuroria Speciale në kuadër të Prokurorisë së Përgjithshme dhe si një tërësi edhe prokurorisë por edhe gjyqësisë t’i qaset një reformë shumë më thelbësore, shumë më apolitike ose apartiake dhe në sipërfaqe të dalin profesionistët”,- tha analisti politik, Xhelal Neziri.
“Prokuroria Speciale do të mbetet me fuqinë e vet, me autonominë e vet për të vepruar dhe për t’i nxjerrë të gjitha ato probleme apo ato elemente, atë korpus delikti që ka në vetvete dhe ata e kanë, por duhet ende të shoshitin për t’i nxjerrë si të kuptueshme para gjyqësisë”,- tha analisti politik, Ilir Luma.
Panelistët vlerësojnë se nevojiten reforma rrënjësore në gjyqësi, por pajtohen se ato mund të bëhen me një vullnet të mirë politik dhe përmes një procesi vetingu të ngjashëm sikurse në Shqipëri.
MERAL ISMAILI
