Maqedoni
Propozim-ligji për mbrojtje sociale, të prekurit me mbështetje dhe vërejtje për tekstin
20.03.2019 18:27
Përfaqësues të dhjetëra organizatave civile adresuan këndvështrimet e tyre ndaj propozim-ligjit për mbrojtje sociale...

Përfaqësues të dhjetëra organizatave civile adresuan këndvështrimet e tyre ndaj propozim-ligjit për mbrojtje sociale, i cili duhet të rregullojë statusin financiar të më shumë kategorive të rrezikuara në vend.
Debati që u zhvillua në Komisionin amë në kuvend nxori në sipërfaqe mbështetje dhe kundërshtime për propozim tekstin e ligjit.
“Ky ligj përbën një bazë të mirë dhe jep sinjale me të cilin qytetarët, ata të cilët janë më të rrezikuar, të munden së bashku me institucionet të zgjidhin problemet. Të mos na ndodhin raste kur personave në bazë të marrëveshjes për alimentacion t’u ndërpritet ndihma sociale. Raste të tilla me këtë ligj nuk do të ketë”,- u shpreh Zoran Bikovski nga Sektori Civil.
“Kërkojmë personat me nevoja të posaçme të mund të refuzojnë angazhimin në punë dhe të mos i ndalet e drejta e garantuar për ndihmë minimale në situatat e apostrofuara me nenin 40 nga propozim-ligji. Prindërit biologjikë përsëri janë të diskriminuar”,- u shpreh Brankica Dimitrovska nga Hendikep-Plus.
Debatit nuk i munguan edhe përplasjet politike. Ministrja Caroska akuzoi Qeverinë e kaluar për politika të dështuara sociale, teksa deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, kërkoi të mos përfitojë pikë politike nga debati.
“Të gjitha politikat e së kaluarës janë krijuar me qëllim që ta rrisin pabarazinë, të transferonin mjete financiare tek më të pasurit. Për këtë arsye sot kemi numrin mbi 400 mijë të qytetarëve të cilët jetojnë në varfëri. Kishim ministra që ishin frikuar nga fushata për luftë kundër varfërisë, duke gënjyer veten se statistikat janë më të vogla se sa paraqiten”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.
“Askush nuk tha se jemi kundër këtij ligji, sepse si fillim duam t’i dëgjojmë organizatat qytetare. Mos paragjykoni se dikush dëshiron ta bllokojë ligjin. Do t’ju lutem që mos të mbledhim këtu pikë politike. Nëse ligji është i mirë, ta mbështesim, por nëse ka lëshime dhe ka vërejtje nga palët, duhet ta përmirësojmë”,- theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova.
Në kuadër të reformës sociale në Kuvend është dorëzuar edhe propozim-ligji për mbrojtjen e fëmijëve dhe pensionit social.
NAIM RAMADANI
