Maqedoni
Propozohet definimi i kompetencave të zëvendësdrejtorit të ASHAA
27.08.2014 17:07
Agjencioni për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele, vazhdon me konsolidimin dhe miratimin e akteve nënligjore...

Anëtarët e kësaj Agjencie, diskutojnë për të miratuar rregulloren e punës, sipas të cilës do të definohen saktë organizimi i Agjencisë, kompetencat e drejtorit, të zëvendësdrejtorit dhe funksionimi i Këshillit të Agjencisë.
Një prej amendamenteve të propozuara nga anëtarët shqiptarë është që në nenin 18, 19 dhe 21 të definohen qartë kompetencat e zëvendësdrejtorit të Agjencisë.
“Është në pyetje çështja e organit ekzekutiv të Agjencionit për Media, ajo është drejtori dhe Ligji ka paraparë dhe zëvendësdrejtor, aty parashihet se ku do të përmendet drejtori të përmendet dhe zëvendësdrejtorit, si njëri i cili do të zëvendësojë drejtorin në raste kur ai nuk është në mundësi të jetë prezent. Në disa vende janë bërë lëshime, ku nuk përmendet emri i zëvendësdrejtorin dhe unë insistoj që duke u mbështetur gjithnjë në Ligjin për Media, atje të vendoset në mënyrë decide pozicioni dhe funksioni i zëvendësdrejtorit”- deklaroi zëvendëskryetari i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele, Milaim Fetai.
Me miratimin e Ligjit për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele, në vitin 2013, Këshilli Radio-difuziv u emërua në Agjenci për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele.
Këshilli i Agjencisë përbën 7 anëtarë dhe përbërja votohet në Kuvend. Disa nga kompetencat që i ka ky organ është marrja apo vazhdimi i lejes për emetim televiziv ose radio-emetim, apo ndryshimin e strukturës pronësore të radio-difuzerit.
REXHEP QAMILI
