Maqedoni
Vërejtje publike për deputetët që u konfrontuan fizikisht
27.08.2014 17:34
Incidenti i djeshëm në Kuvendin Republikan u mbyll me një vërejtje publike nga ana e kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski...

Incidenti i djeshëm në Kuvendin Republikan u mbyll me një vërejtje publike nga ana e kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, i cili para hapjes së seancës së 12 plenare, njoftoi se gjatë paradites ka thirr koordinim “Ad hok”, në të cilin është marrë vendim për masat e ndërmarra.
“Shkaku i incidentit sot thirra dhe u mbajt koordinim “Ad hok”, në të cilën në bazë të nenit 43, paragrafi katër, nga Ligji për Kuvend është caktuar masa e mëposhtme: vërejtje publike për deputetët të cilët e nxitën dhe morën pjesë në këtë incident të padëshiruar. Kolegë deputetë edhe një herë dua të apeloj se përmes respektimit të kulturës së dialogut dhe fuqisë së argumenteve, mundemi më së miri dhe në mënyrë më efikase t’i argumentojmë interesat dhe nevojat e zgjedhësve tanë që na kanë dhënë mandatin”- deklaroi kryetari i Kuvendit të RM-së, Trajko Veljanovski.
Ndërkohë, duke rikujtuar incidentin e 24 dhjetorit të vitit 2012, opozita maqedonase vlerësoi se incidenti është dëshmi për mungesën e kapacitetit elementar për të funksionuar. LSDM, vlerëson se incidentet e njëpasnjëshme në Kuvend janë si pasojë e politikës konfliktuoze të VMRO-DPMNE-së, e cila, sipas LSDM-së, ka pezulluar demokracinë parlamentare që më 24 dhjetor të vitit 2012.
“Ishte çështje kohe se kur do të ndodhte ndonjë incident në Kuvend dhe mund të imagjinohet se çfarë mund të ndodh. Porositësit dhe zbatuesit e dhunës më 24 dhjetor, mbetën të padënuar dhe nuk mbajtën asnjë përgjegjësi. Gruevski mbeti kryeministër, Jankullovska mbeti ministre e Punëve të Brendshme, Stavrevski mbeti ministër i Financave, Veljanovski mbeti kryetar i Kuvendit. Kjo katërshe në pushtet jep mesazhin deri te deputetët, se dhuna dhe rrahjet në Kuvend janë mënyrë e pranueshme e sjelljes dhe se çdo gjë mund të kalojë”- theksoi Goran Sugarevski nga LSDM.
Një ditë më parë, deputetët e PDSH-së dhe BDI-së, anëtarë të Komisionit për Financa dhe Buxhet, u rrahën me grushta gjatë debatit rreth rebalancit të buxhetit.
SHPËTIM NUREDINI
