Botë
Takohen rivalët Poroshenko-Putin
27.08.2014 17:45
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Ukrainës, Petro Poroshenko, kanë mbajtur mbrëmë vonë bisedime direkte për krizën në pjesën lindore të Ukrainës...

Krerët e dy shteteve janë takuar për dy orë, direkt njëri me tjetrin, pas negociatave të gjëra me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe presidentët e Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Takimin e tij dyorësh direkt me presidentin Putin, Poroshenko e ka përshkruar si “shumë të vështirë dhe kompleks”, por tha se të gjitha palët “pa përjashtime” i kanë mbështetur propozimet e Kievit për paqe.
“Ne kemi demonstruar se qëllimi kryesor për të cilin ne arritëm në Minsk është paqja. Ukrainës i duhet paqja, shtetasve në Krasnodon, Luhansk, Donjeck, Pervomajsk, Brijanka u duhet paqja, shtetasve të të gjitha qyteteve që janë nën okupim, e që janë të lodhur duke jetuar në gjendje të luftës në këtë shekull. Prandaj, ata kërkojnë një aksion shumë të vendosur, i cili do të sjellë paqe në tokën e Ukrainës”- deklaroi kryetari i Ukrainës, Petro Poroshenko.
Ndërsa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se bisedimet në Minsk ishin pozitive, por planet e armëpushimit janë çështje e brendshme e Kievit dhe e kryengritësve, tha ai.
“Ne, Rusia, nuk mund të bisedojmë për çfarëdo kushtesh për armëpushim, për marrëveshje të mundshme ndërmjet Kievit, Donjeckut dhe Luhanksut. Nuk është punë për ne, ajo është çështje e brendshme e Ukrainës. Ne vetëm mund të kontribuojmë për krijimin e atmosferës së besimit gjatë procesit të tillë të negociatave, i cili unë besoj se është shumë i domosdoshëm”- theksoi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, e cila ishte në Minsk, tha se kryesorja është që të ndalet dhuna në pjesën lindore të Ukrainës.
FARIJE DAUTI-BAKIU
