Maqedoni
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Tsipras: Ngadalësimi i procesit, interes i fuqive regresive
22.03.2019 12:01
Refuzimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedoninë e Veriut në BE....

Refuzimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedoninë e Veriut në BE apo ngadalsimi i procesit do të ishte vendim në interes të fuqive regresive nacionaliste, ka thënë kryeministri grek Aleksis Tsipras në fjalimin e tij gjatë takimit përgatitor të partisë socialiste evropiane në Bruksel. Sipas agjensisë greke, ANA-MPA kryeministri grek ka kërkuar që të shpërblehet arritja e marrëveshjes historike me Maqedoninë e Veriut dhe se për këtë duhet të flitet më zëshëm në qershor, kur pritet për Maqedoninë e Veriut të vendoset nëse do të merr apo jo datë për fillimin e negociatave.
“Refuzimi që të fillojnë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, pas gjithë asaj që e arritëm me Marrëveshjen historike të Prespës, do të ishte vendim në interes të fuqive regresive dhe nacionaliste në barrë të politikës së progresit, paqes dhe miqësisë së popujve. Kundërshtimi ynë ndaj nacionalizmit si dhe përparsia jonë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor duhet të thuhet gjatë Këshillit Evropian në qershor”, thotë Tsipras.
Momentalisht Greqia është lobuesja më e madhe për integrimin e vendit tonë në BE, ndërkaq mbtetet të shihen rezervat tek Franca dhe Holanda se si do të jetë qëndrimi i tyre individual për dhënien e datës për fillimin e bisedimeve për Maqedonisë së Veriut. Kujtojmë se presidenti francez Makron muajin e kaluar pati deklaruar se Maqedonia e Veriut duhet të shpërblehet për faktin e tejkalimit të kontestit me Greqinë, e që mbetet të shihet vendimi final I tyre për vendin tonë në Këshillin e BE-së në qershor.
Tsiprasi paralelisht ka shfaqur optimizëm për rezultatet nga eurozgjedhjet, por edhe shqetësim për rritjen e mundshme të së djathtës radikale, sepse një zgjidhje e tillë sipas tij do të nënkuptonte edhe bashkëpunim zyrtar i së djathtës me të djathtën radikale, ndërsa një hipotezë të tillë Tsiprasi e sheh si katastrofale për të ardhmen e Evropës.
Nermin Mulaki Fejzullahu
