Specialja dhe rregullimi i statusit të saj, Maksuti: PSP duhet të ruajë autonominë
Sipas Maksutit ndryshimet e reja ligjore nuk duhet të ulin pozitën e PSP-së....

Lidhur me pakon e propozim ligjeve për gjyqësorin, respektivisht për rregullimin e statusit të funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike, profesori universitar Mersim Maksuti konsideron se PSP duhet të ruajë autnominë e saj dhe të vazhdojë të funksionojë si organ i pavarur.
Sipas Maksutit ndryshimet e reja ligjore nuk duhet të ulin pozitën e PSP-së , dhe se llogari për punën e sajë, Specialja duhet të jep vetëm para Këshillit të Prokurorëve.
“Unë ndaj mendimin jo si njësi e veçantë brenda prokurorisë për krim të organizuar siç e kërkon VMRO- por të mbetet prokurori në vete e pavarur dhe me këtë do të ruaj autonominë e saj dhe të ruaj kompetenca të fuqishme të mund të luajë në mënyrë objektive funksionin e saj në ndjekjen e kryerësve të veprave penale” – deklaroi eksperti juridik, Mersim Maksuti.
MAKSUTI: PSP T`I PROCESOJË RASTET E NGRITURA
Sipas Maksutit, PSP duhet të vazhdojë me procesuimin e të gjitha lëndëve hetimore dhe parahetimore edhe pse janë të ngritura pas skadimit të afatit të paraparë prej 18 muajsh. Sipas tij të gjitha lëndët e ngritura pas qershorit të vitit 2017,duhet të vazhdojnë të jenë nën kopetencë të PSP-së.
“Unë do të kërkoj që pamëdyshje të futen në kompetencë të saj ,të vazhdojë ti procesuojë deri në fund të gjitha ato raste të ngritura pas këtij afati por jo vetëm këto por të jepet hapësirë që ligji si një nga reformat kyçe për BE-në i Prokurorisë publike, patjetër të parashohë edhe kompetenca të reja edhe me pushtetin aktual me qeverisjen me keqpërdorimet eventuale me abuzimet nga pushtetarët dhe zyrtarët për momentin” – tha eksperti juridik, Mersim Maksuti.
Profesor Maksuti më tej shton se mekanizëm i rëndësishëm i cili garanton objektivitetin në punën e Speciales është buxheti i pavarur. Sipas tij buxheti i pavarur në konsolidimin e shtetit juridik, luan një rol të rëndësishëm sepse në këtë mënyrë pamundësohen ndërhyrjet dhe ndikimet politike në punën e prokurorisë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
