Propozim-ligji për prokurorinë publike, pushteti dhe opozita mbeten në qëndrimet e tyre

23.03.2019 17:16

VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin e saj lidhur propozim-ligjin për prokurorinë publike dhe fatin e PSP-së...

VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin e saj lidhur propozim-ligjin për prokurorinë publike dhe fatin e PSP-së. Nga kjo parti thonë se vërejtjet e tyre për ligjin nuk do të dorëzojnë nëpërmjet amendmenteve. Sipas tyre propozim-ligji nuk përmban rekomandimet përkatëse dhe si  i tillë nuk përbën reformë

“Ky tekst ligjor siç është i dorëzuar është anti-reformë, pasiqë nuk përmban pjesën më të madhe të rekomandimeve përkatëse për drejtësi, shtet ligjor, dhe prokurori publike e cila nuk do të frikësohet për të hetuar krimet e pushtetit. Kërkimi i dorëzimit të amendamenteve në këtë fazë nënkupton përpjekje për të tregtuar me parimet themelore. Demokracia saktë përcakton se kur dhe ku të dorzohen amendamentet. Kjo bëhet në Parlament, në procedurë parlamentare, dhe jo në ministri dhe qeveri” – tha Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.

Por zv.kryeministri Bujar Osmani tha se duhet punuar në dy drejtime për të arritur konzenzus. Veç opozitës ai nuk përjashtoi mundësinë e negocimit  edhe me grupe tjera parlamentare për të arritur shumicën e nevojshme prej 2/3-ve të votave.

“Siç e dini dje kishim raundin e dytë të bisedimeve me opozitën ngase konsideruam se duhet që ti shfrytëzojmë të gjitha mundësitë pasiqë kjo periudhë është shum e rëndësishme të dëshmojmë politikë shtetrore në raport me antarësimin në BE. Është e qartë se dje, përpjekja e dytë nuk arriti të japë rezultate. Unë vlerësoj se duhet të vazhdohet paralelisht të punohet në dy trajektore, edhe në përpjekjen për arritjen e konsensusit por edhe me komunikim me deputetët që eventualisht të arrihet shumicë në parlament” – u shpreh zv.kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Opozita kërkon që prokurori i përgjithshëm të emërohet me propozim të opozitës, përbërja aktuale e PSP-së të pushojë së funksionuari dhe në prokurorinë e përgjithshme të formohet njësi e prokurorisë speciale me prokuror të ri.

Me kërkesat e tilla nuk pajtohet pushteti të cilët këmbëngulin që specialja të vazhdojë të funksiojë si trup i veçantë. (Naim Ramadani, TVM2)