I cilësoi si gjenocid sulmet e NATO-s, Haradinaj shkarkon zv.ministren, Mikiq
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq...

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, e cila vjen nga radhët e Listës Serbe.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se ky vendim u mor pasi Mikiq deklaroi se bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi, 20 vite më parë, ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb. Sipas kryeministrit Haradinaj, deklarime të tilla janë “të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes”.
Haradinaj tha se Mikiq i bëri këto komente në Ministrinë e Drejtësisë. Nga Lista Serbe thonë se shkarkimi i Mikiqit, është turp jo vetëm për Kosovën por edhe për shtetet e tjera që e përkrahin Prishtinën zyrtare.
“Paramendoni, dikush nuk ka të drejtë ta thotë të vërtetën në publik dhe është “gabim” pse thotë se populli i saj ka vuajtur nga bombat e NATO-s. Kjo është turp për të gjithë botën që e përkrah këtë sistem në Kosovë” - ka komentuar në Facebook kreu I Listës Serbe Milan Kostiq.
